E Shtunë, 31 Tetor 2026

Evropa lindi në një Prishtinë të lirë

Brezin e sotëm në vendin tonë e ka thirrur koha të dëshmojë vlera, aq më tepër tani që u bë plot një vit nga pavarësia e Kosovës. Kontributi i secilit, prej fëmijës deri te plaku, është jo vetëm detyrë, por edhe një virtyt i pazëvendësueshëm atdhetar. Por për të dhënë kontribut, duhet së pari të kemi prezent në ndërgjegjen kolektive ide të reja që shtrojnë udhë për zhvillim të qëndrueshëm. Bota e qytetëruar i ka vlerësuar gjithnjë sistemet e ideve dhe vlerave.

E kush veç elitës e kryen një mision të tillë?

Kur një populli i mungon elita, ai është në pragun e katastrofës, të katastrofës ekonomike, politike, kulturore, sociale, morale etj. Aq më keq u ndodh atyre kombeve që i kanë elitat e nuk i njohin, apo nuk i përfillin, ose më qartë, nuk duan të njohin sistemin e vlerave që prodhon elita e tyre. Ngjarjet e dhjetë viteve të fundit u kurorëzuan me pavarësinë dhe njohjen e Republikës së Kosovës. Këto ngjarje treguan se e kemi elitën tonë që prodhon ide e vlera dinjitoze dhe se është e aftë plotësisht për të përballuar vështirësitë, për të mbrojtur atë që është e drejtë, për të bashkëpunuar me mençuri me Amerikën e Evropën dhe për t‘u orientuar drejt në krahun progresist për të ardhmen dhe të mirën e popullit.

Ne shqiptarët, nëpër histori nuk i kemi marrë kurrë diçka dikujt padrejtësisht. Askush deri më sot, gjatë gjithë historisë njerëzore, nuk është nderuar ndonjëherë për atë që ka marrë. Këtë e ka bërë dhe tenton ende ta bëjë Serbia, e sunduar prej mentalitetit të së shkuarës, prej ideve të tejkaluara nacionaliste, që në Ballkan sollën gjakderdhje e dhunë. Ne shqiptarët, virtytin e dhënies kontribut e kemi pasur tradicionalisht si parim kolektiv. Historia jonë e tregon shumë qartë këtë. Nderimi e shpërblimi ka qenë gjithmonë në anën e atyre që kanë dhënë kontribut, që kanë rrezatuar vlera pozitive në shoqërinë njerëzore. Ai popull, ose ata popuj që kanë marrë, pushtuar, dhunuar, gjithmonë e kanë pasur ndërgjegjen e plagosur rëndë, ndërgjegje që nuk i ka lënë të ngrenë krye. Popujt që kanë marrë e uzurpuar pa të drejtë nuk kanë qenë asnjëherë të qetë, përkundrazi kanë pasur ndërgjegje të plagosur.

Prandaj, data 17 Shkurt, jo vetëm që është një fitore e madhe historike për popullin shqiptar, nga ana tjetër, praktikisht është edhe fitore e popullit serb. Nëse jo sot, serbët nesër me siguri do ta prekin me dorën e tyre këtë fitore. Prej datës 17 Shkurt, Serbisë iu hoq një barrë që e ka pasur për shumë dhjetëvjeçarë mbi kurriz, e kjo barrë është barra e pushtimit të dhunshëm të një populli tjetër, barra e krimeve që ka pjellë njëtrajtshmërisht e në koncept metafizik politika shoviniste e këtij vendi. Pas kësaj dite, vetë populli serb do ta kuptojë se sa i verbër paska qenë, për shkak të kësaj politike ngritur mbi bazën e strategjive të errëta ndërtuar prej mendjeve diabolike e praktikave okulte pseudo-akademike që e shikonin ekzistencën e kombit të tyre mbi dhunimin, nënshtrimin dhe asimilimin e kombeve të tjerë.

Ngjarjet e dhimbshme historike, që ndodhën në Shqipëri e, sidomos në Shqipërinë Veriore (Kosovë) në shekullin e 19-të e gjatë gjithë shekullit të 20-të, u karakterizuan nga përpjekjet e një dhune me ndërgjegje të sëmurë, kundër një populli në shtëpinë e tij, me hallet e veta, me kompleksitetin e problemet që e ndjekin hap pas hapi. Kjo dhunë kërkonte me çdo kusht e mjet të përvetësonte diçka që nuk i takonte. Madje, pjesën më të rëndësishme të territorit të shqiptarëve. Por kjo përpjekje rezultoi fatale për atë që synon të realizojë plane e synime arkaike, sepse, për shumë dekada u harxhua energji e pallogaritshme intelektuale për të realizuar të pamundurën dhe, nga ana tjetër, u harrua se një etni nuk mund të shfaroset si rrjedhojë e harxhimit të kësaj energjie të errët, pa rrugëdalje dhe negative.

Pikërisht harxhimi i energjive për të realizuar të pamundurën nga ana e serbëve, reflektohet në zhvillimet e sotme që ecin drejt rendit të ri botëror me prapambetjen në kuptimin e pozicionit aktual të Serbisë në raport me vendet e tjera në Ballkan, Evropë e botë, me shterpësinë e ideve për të mbrojtur pretendimet, me ndërmarrjet e dëshpëruara diplomatike nëpër organet autoritare ndërkombëtare, me aktet vandaliste (si në rastet e përsëritura në Mitrovicë, apo Luginën e Preshevës), që e çojnë gjithnjë e më shumë, jo vetëm politikën aktuale serbe, por edhe vetë popullin e këtij vendi, në një Dimër të Vetmisë së Madhe, nga i cili e ka shumë vështirë të dalë.

Serbia tashmë duhet ta dijë se ishte e pamundur të shpëlash trurin e një kombi, kulturën e tij të lashtë, praktikat e tij jetësore, mentalitetin dhe ndërgjegjen që ka ndërtuar prej krijimit të tij dhe, për shkak të kësaj pamundësie, energjitë e elitës së vet duhet t‘i drejtojë tani e tutje për orientimin dhe zhvillimin e popullit serb, për ndërtimin e marrëdhënieve të reja me vendet fqinjë dhe të tjerët, për krijimin e raporteve të qëndrueshme mbi bazën e mirëkuptimit e partneritetit të ndërsjellët.

Serbia tashmë duhet ta dijë se është shumë e vështirë, ose e pamundur që të depërtosh në një psikologji kolektive që nuk është e jotja. Është shumë e vështirë që investimet e përçudnuara të çdo lloji e mënyre të gjejnë vend aty ku ke gjenezën, kulturën, mentalitetin, identitetin e atij që kërkon ta marrësh e ta uzurposh pa asnjë të drejtë, as etnike, as historike, as morale. Rendi i ri që po ndërtojmë i sheh si të huaja praktika të tilla.

Mirëpo, tragjikisht, liderët serbë nuk po e kuptojnë këtë as sot e gjithë ditën. Pikërisht për këtë ata kërkojnë vazhdimisht mbështetje në Moskë, e cila në përpjekje për të fituar terren politik e diplomatik, nuk e ka shumë mendjen te Serbia, por tek interesat e veta. Edhe këtë nuk po e kupton politika e sotme e Serbisë. Historikisht do të mbahet mend dështimi serbo-rus në Këshillin e Sigurimit, një ditë pas shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe për këtë nuk do shumë koment. Mirëpo për të folur më açik, Serbisë dhe orvatjes së saj po i ndodh si gomarit që i kishte ngrënë ujku gjysmën e trupit e ai kujtonte se ishte në ëndërr. Kështu po ndodh edhe me garniturën e sotme politike në Beograd.

Ata që guxojnë të gllabërojnë sa më shumë, në shumicën e rasteve humbasin shumë. Edhe perandori të pamata e të pangopura e kanë provuar nëpër shekuj këtë, por si Perandoria Romake, si ajo kineze, ruse e shumë të tjera janë rrënuar kur kanë qenë në kulmin e delirit dhe euforisë. Prandaj, edhe ato mendje të sëmura prej sindromit nacionalist që kërkuan të marrin atë që nuk ishte e tyre dhe që ishin arkitektë të programeve për të arritur këto synime, thellë në ndërgjegjen e tyre kishin të ngulitur si një thumb fundin pa lavdi të tragjizmit të vet, shkuarjen kot të përpjekjeve dhe investimeve të përhershme e të gjithanshme. Akademiku serb, Dobrica Qosiç, që para rreth 30 viteve ishte shprehur se "krahinat autonome (Kosova dhe Vojvodina) janë dy kancere në gjirin e Republikës së Serbisë". Ky akademik serb, nacionalist i vrazhdë, i ushqyer nga qumështi i elaborateve që kanë autorësinë e Garashaninit, Cvijiçit, Çubriloviçit, Andriçit etj., i kishte marrë parasysh të gjitha vështirësitë që çojnë në pamundësinë e përpjekjeve të tyre. Profecia e fjalëve të tij doli.

Sot, një vit pas pavarësisë së Kosovës, këtij akti të rëndësishëm të historisë sonë kombëtare, ne shqiptarët kemi shumë detyra për të kryer. Rrethet shkencore, akademikët, shkollat, politika, prodhimet letrare marrin përsipër këtë detyrë. Madje, tani fillon puna jonë. Sot duhet ta japim atë kontribut, sepse, siç pat thënë Eleonor Ruzvelt, "atëherë kur keni filluar të mos jepni kontribut, keni filluar të vdisni". Gatishmëria për të dhënë kontribut prej popullit tonë ka qenë e pranishme gjithmonë. Por më shumë doli në pah ditën e shpalljes së pavarësisë. Çdo shqiptar, i madh e i vogël, ishte i gatshëm për të dhënë kontribut, si dëshmi se jo vetëm jemi gjallë, por edhe vital për të qenë komb në rritje, komb në zhvillim të përhershëm. Përballë kësaj gatishmërie, elita jonë e vërtetë kombëtare duhet doemos të jetë në pararojë me idetë e reja.

Në vitin 1999 në Kosovë, me luftën për përmbysjen e diktaturës së fundit gjakatare, nisën të përcaktohen vlerat e një Rendi të Ri Botëror. Këtu filluan të bien gërdallat donkishoteske të dhunshme e antihumane. Në historinë moderne, Kosova do të mbetet trualli i fillimit të frymës së re të Rendit të Ri Botëror. Filozofi bashkëkohor Andre Gauckman, pati thënë në vitin 1999 në periudhën e konfliktit, se "Evropa lind në një Prishtinë të lirë". Tadiç, Koshtunica dhe Nikoliç (për mua pa asnjë dallim principial), duhet të bëhen të vetëdijshëm se vetëm kur të jetë Prishtina e lirë, do të jenë edhe ata të lirë, do ta shohin se do të heqin prej qafe kularin që i ka shtrënguar për më shumë se njëqind vjet e nuk i ka lejuar të ecin me një hap me kombet e tjera.

E, kjo është shumë domethënëse, jo vetëm për ne shqiptarët, por për shtëpinë e madhe që quhet Evropë, e cila me pavarësinë e Republikës së Kosovës sigurisht është rritur.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›