E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëzohet buxheti bashkiak, "investonte" vetëm administratën

Këshilltarët demokratë në Koplik, që përbëjnë dhe shumicën e Këshillit Bashkiak, pavarësisht mbështetjes së përfaqësuesit të LSI-së, nuk kanë mundur ta miratojnë buxhetin e vitit 2009. Kundër kanë votuar këshilltarët socialistë, republikanët, LZHK dhe Bashkimi Demokrat. Buxheti është bllokuar pasi 55 për qind e tij ishte parashikuar të shpenzohej për blerje makinash për administratën dhe fare pak për investime. Mbledhja ka nisur me debate të ashpra, ku këshilltari socialist, Armand Duli, i ka kërkuar llogari kryebashkiakut Ramandan Lika, në lidhje me grandin e qeverisë spanjolle dhënë një vit më parë, në shumën e 103 mijë eurove. Sipas këshilltarit socialist, 50 për qind e këtij fondi është vjedhur. Më pas, është marrë vendimi që kjo çështje nga komisioni hetimor i Bashkisë Koplik të kalojë për hetim në Prokurorinë e Shkodrës. Debatet janë përqendruar më tej në mënyrën se si ishte parashikuar shpenzimi i buxhetit bashkiak. Këshilltarët socialistë kanë akuzuar se nga 53.6 milionë lekë që është buxheti, vetëm 8.5 milionë lekë janë parashikuar për investime, 200 mijë lekë për kulturën, ndërsa për ekipin e futbollit, Veleçiku, ku kryebashkiaku demokrat Lika është president, janë parashikuar 2.5 milionë lekë. "Kjo ndarje buxheti është e papranueshme", thanë këshilltarët socialistë.

Pas tensionesh të forta mes palëve kundërshtuese, buxheti i Bashkisë së Koplikut për vitin 2009 është hedhur në votim. Nga 17 këshilltarë që ka këshilli bashkiak i këtij qyteti, ishin të pranishëm në mbledhje vetëm 13 anëtarë. Vetëm 7 këshilltarë, nga të cilët 5 demokratë, një demokristian dhe një i LSI-së votuan pro buxhetit, ndërsa 6 anëtarët e tjerë, nga të cilët 3 socialistë dhe tre nga partitë aleate të PD-së, votuan kundër.

Në këtë mënyrë, miratimi i buxhetit të hartuar nga Bashkia e Koplikut për vitin 2009 ka qenë i pamundur. Që ky dokument financiar të miratohet, këshilltarët e PS-së kërkuan që të ribëhet një ndarje tjetër e buxhetit, por këtë herë sipas nevojave të qytetit. Ata theksuan që buxheti të prezantohet i detajuar për të gjitha shpenzimet që parashikohet të bëhen.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›