Evropa mban frymën, sot kurorëzohet kampioni
Sot në mbrëmje përfundon rrugëtimi i gjatë i Euro 2012 dhe Spanja me Italinë do të diskutojnë trofeun. Stadiumi Olimpiski i Kievit do të presë sot dy skuadrat finaliste të cilat do të bëjnë gjithçka për të marrë kupën me vete.
Parashikohet një ndeshje aq e bukur por aq e vështirë dhe taktike. Spanja me tiki-takan e saj ndërsa Italia me grintën dhe shpirtin luftarak do të provojnë të mundin njëra-tjetrën.
Kjo sot, është një ndeshje që mbart në vetvete një sërë sfidash, duke filluar që nga portierët Bufon e Kasijas, e deri tek sulmi Baloteli-Torres. Mesfusha është pika kryesore e dy ekipeve dhe aty do të luftohet shumë.
Mjeshtëria e Pirlos përball magjisë së Iniestës dhe Ksavit, forca dhe vendosmëria e De Rosit përball perfeksionit të Xabi Alonsos janë dilemat kryesore që do të marrin përgjigje sot në mbrëmje.
Dy trajnerët i kanë dhënë peshën e duhur sfidës dhe kanë deklaruar se kjo ndeshje është gjithçka. Del Boske thotë se kjo është ndeshja e jetës ndërsa Prandeli kërkon nga të tijët vëmendje dhe përqëndrim.
Asgjë nuk është e sigurt se si do të përfundojë ndeshja por e sigurt është që do të ketë emocion.
