Evropa merr akt për referendumin “pro” Berishës, premton heqjen e shpejtë të vizave
Kryeministri Sali Berisha ka marrë në kongresin e popullorëve në Bon, mbështetjen e liderëve evropiane për heqjen e shpejtë të regjimit të vizave. BE-ja ka dënuar qëndrimin e opozitës dhe ka marrë akt për mbështetjen masive të shqiptarëve ndaj reformave të qeverisë “Berisha”. Konfirmohen vizitat në Tiranë të Presidentit të BE Van Rompuy dhe të kancelares gjermane Angela Merkel
Liderët e Bashkimit Evropian konfirmojnë mbështetjen e tyre ndaj qeverisë shqiptare lidhur me kërkesat e pajustifikueshme të opozitës. Kësisoj, kryeministrat e Suedisë, Italisë, Gjermanisë, Francës dhe mjaft vendeve të tjera anëtare të Bashkimit Europian, kanë dënuar qëndrimin e opozitës, duke bojkotuar parlamentin dhe mos njohur institucionet e dala nga zgjedhjet e 28 qershorit dhe njëherazi inkurajojnë qeverinë e kryeministrit Berisha, për të vazhduar rrugën e reformave edhe pa kompromisin e palës kundërshtare. Kjo mbështetje e përfaqësuesve të lartë të Bashkimit Evropian, i është përcjellë kryeministrit Berisha gjatë kongresit të Partive Popullore Europiane të mbajtur në Bon të Gjermanisë. Në këtë kuadër, kreu i qeverisë Sali Berisha dha edhe lajmin e mirë për të gjithë shqiptarët se në këtë kongres ka gjetur mirëkuptimin e liderëve të vendeve të BE-se, kryetarë të partive anëtare të PPE –së, që përbën dhe spektrin politik më të madh në Europë, për heqjen e shpejtë të vizave Shqipëri-BE. “Unë sigurisht shfrytëzova rastin, pasi tani po dal nga dreka me kryetarët e qeverive dhe të partive, ku takova gjerësisht kolegët e mi të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, të Suedisë, Italisë, të Gjermanisë, të Francës, por mund të them të të gjitha vendeve. Në radhë të parë diskutova për procesin e integrimit të Shqipërisë dhe gjeta mbështetje të plotë; një diskutim të veçantë pata kësaj radhe me presidentin e sapo zgjedhur të BE-së, Herman Van Rompuy, të cilin kam pasur rastin ta njoh dhe të kem lidhje mjaft pozitive, ndofta dhe miqësore edhe para këtij takimi që zhvilluam, e njoha me të gjitha zhvillimet në Shqipëri. Ai më premtoi se vitin e ardhshëm do të vizitojë Shqipërinë, sikundër kam marrë një premtim të prerë nga Kancelarja Merkel për të vizituar Shqipërinë. Në të gjitha bisedimet me kolegët e mi, natyrisht që kam trajtuar edhe kërkesën absurde të opozitës për të rinumëruar votat pas një vendimi gjykate, i cili e përjashton këtë mundësi. Kam gjetur mirëkuptim të plotë nga bashkëbiseduesit e mi për qëndrimin e qeverisë dhe qëndrimin tim ndaj kësaj kërkese, sikundër i njoha me ofertën që unë kam bërë për problematikën tjetër, në mënyrë që opozita të marrë vendin e saj në parlament. Mendoj se ky kongres ishte një mundësi shumë e madhe për mua, qeverinë time, si për të promovuar reformat që kemi bërë, ashtu dhe për të kërkuar mbështetje, heqjen e vizave, që e kisha temë edhe mbrëmë për ju. Unë gjatë darkës takova shumicën e personaliteteve, dhe veçanërisht darkën ia përkushtuam vizave dhe biseduam si me komisionerët përgjegjës dhe të tjerë për problemin e vizave, ashtu edhe me kryeministrat. Pra them se ky ishte një kongres jashtëzakonisht i rëndësishëm për Partinë Popullore Evropiane, por po kaq i rëndësishëm edhe për Shqipërinë”, u shpreh kryeministri Berisha. Shefi i ekzekutivit vuri në dukje se, “në këtë kongres, zyrtarët e lartë të vendeve anëtare të BE–së, vlerësuan jo vetëm reformat, por edhe manifestimin e 8 dhjetorit në Tiranë, në përkujtim të ditës që shënoi fillimin e një epoke të re për Shqipërinë e Shqiptarët”. Kryeministrin Berisha tha se jehona e kësaj feste ishte e pranishme gjerësisht në këtë kongres, ndërsa kritikoi qëndrimin e opozitës. “Më duhet të them se jehona botërore e festimit të 8 Dhjetorit në Tiranë ishte e pranishme gjerësisht në këtë kongres dhe janë të shumtë pjesëmarrësit e kongresit por edhe udhëheqësit kryesorë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe vendeve të tjera, të cilët kishin ngelur jashtëzakonisht të entuziazmuar nga ajo shfaqje madhështore. Dhe unë, siç theksova në fjalim, u thashë miqve të mi se populli që ka vuajtur më shumë nga diktatura e egër komuniste, e festoi dhe i takonte ta festonte me madhështinë më të madhe; sikundër i njoha me qëndrimin e pakonceptueshëm të opozitës, e cila jo vetëm që nuk iu përgjigj ftesës time për të qenë e pranishme në këtë ngjarje të madhe për kombin, por bëri të kundërtën e denoncoi, duke e shpallur si antimiting apo e provokoi në mënyrat më të ulëta duke shpërndarë kryetari i bashkisë, plehrat nëpër rrugët e Tiranës, në prag të kësaj ngjarje”, deklaroi Berisha. Ndërkaq, në takimet me zyrtarët e lartë të Bashkimit Europian, kryeministri Berisha vlerësoi veçanërisht atë me Presidentin e parë të Bashkimit Europian dhe tha se ka marrë garancinë e tij për të vizituar Shqipërinë vitin që vjen. Një tjetër vizitë është konfirmuar nga kancelarja gjermane Merkel. “Një diskutim të veçantë pata kësaj radhe me presidentin e sapo zgjedhur të BE-së, Herman Van Rompuy, të cilin kam pasur rastin ta njoh dhe të kem lidhje mjaft pozitive, ndofta dhe miqësore edhe para këtij takimi që zhvilluam, e njoha me të gjitha zhvillimet në Shqipëri. Ai më premtoi se vitin e ardhshëm do të vizitojë Shqipërinë, sikundër kam marrë një premtim të prerë nga Kancelarja Merkel për të vizituar Shqipërinë”, tha më tej kryeministri Berisha. Kryeministri Berisha takon kryetarin e partisë greke “Demokracia e Re”, Antoni Samaras: “Shqipëria po implementon reforma thelbësore për integrimin në BE” Në vijim të pjesëmarrjes në Kongresin e Partive Popullore Europiane, në Bon të Gjermanisë, Kryeministri Berisha pati një takim me Kryetarin e Partisë greke Demokracia e Re (Nea Demokratia), Antonis Samaras. Kryeministri Berisha e uroi Samaras për zgjedhjen e tij në postin e Kryetarit të Partisë Demokracia e Re. Të dy personalitetet vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve dhe dy partive simotra dhe theksuan vullnetin e të dy palëve për ngritjen e këtyre marrëdhënieve në nivel akoma më të lartë, në interes të zhvillimit të të dy vendeve dhe mirëqenies së dy popujve miq. Kryetari i Partisë Demokracia e Re në Greqi, Samaras, vlerësoi arritjet e Shqipërisë nën udhëheqjen e Kryeministrit Berisha dhe mazhorancës së kryesuar prej tij në vitet e fundit, veçanërisht reformat e rëndësishme ekonomike të ndërmarra prej qeverisë shqiptare, si dhe përpjekjet e qeverisë, përmes implementimit të reformave thelbësore për plotësimin e standardeve për integrimin në Bashkimin Europian. Kryeministri Berisha e njohu Samaras me zhvillimet në vend dhe reformat e ndërmarra nga qeveria në fushën ekonomike, për krijimin e një klime sa më të favorshme për biznesin, duke përmendur këtu; politikën e uljes së taksave, vendosjen e taksës së sheshtë, vendosjen e prokurimeve elektronike, taksave elektronike, heqjen e 2/3 së lejeve dhe licencave dhe vendosjen e të tjerave të sistemin “One Stop Shop, shkurtimin e shpenzimeve të administratës, etj. Këto masa kanë sjellë rritjet e të ardhurave dhe i kanë dhënë biznesit shumë më tepër frymëmarrje, theksoi Kryeministri Berisha. Të dy personalitetet diskutuan për përkrahjen e rritjes së mëtejshme të investimeve greke në Shqipëri, në fusha të ndryshme të ekonomisë. Kryeministri Berisha siguroi se investitorët grekë do të kenë përkrahjen e plotë të tij dhe te qeverisë shqiptare, në mënyrë që investimet e tyre në Shqipëri të jenë një histori suksesi.
...