Kryetarja e Kuvendit përshëndet të gjithë shqiptarët për manifestimin e 8 dhjetorit

“Opozita po mbahet peng nga muri i mashtrimit dhe i interesave kriminale”
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli përshëndeti dje në emër edhe të Kuvendit të Shqipërisë të gjithë shqiptarët që siç tha ajo, me një pjesëmarrje gati biblike dhe me vendosmërinë unike për aspiratën europiane, në 8 dhjetor 2009 festuan në sheshin “Skëndërbej”, Shqipërinë Europiane. “Historia jonë nuk mbaroi ditën kur rrëzuam murin, aty filloi historia jonë e re. 8 Dhjetori 2009 nuk ishte vetëm një përvjetor. Ajo ishte një thirrje e qindra e mijëra shqiptarëve. Ajo ishte një përgjigje e madhe dhe pozitive. Si Kryetare e Kuvendit, përshëndes vendosmërinë unike për aspiratën europiane. Në shesh kishte të majtë e të djathtë, me parti dhe pa parti. Dua të falënderoj të gjithë shqiptarët, që si kurrë ndonjëherë, me një pjesëmarrje gati biblike festuan tek heroi i tyre kombëtar. Ne rrëzuam Murin. Ne ndryshuam vendin”, u shpreh Kryetarja e Kuvendit. Sipas saj, më 8 dhjetor 2009, në atë orë të magjishme, Tirana e shqiptarët festuan ditën e lirisë së tyre. “Mediat më të rëndësishme ndërkombëtare e quajtën si manifestim të shqiptarëve për të rikonfirmuar vendosmërinë e tyre për integrimin europian. Para pak orësh BBC tha, ‘Mbi 500 mijë shqiptarë festuan Europën në sheshin ‘Skëndërbej’. Ne përkujtuam ditën e ndarjes me bunkerët, urrejtjen. 19 vite më parë shqiptarët donin t’i bashkoheshin kahut të drejtë të historisë! Të rinjtë e të rejat, burrat dhe gratë ngritën peshë gjithë Shqipërinë për ta çuar atë drejt perëndimit”, deklaroi Kryetarja e Kuvendit. Ajo nënvizoi se Shqipëria është në rrugën e duhur drejt liberalizimit të vizave dhe integrimit të plotë në BE. “Ne po e bëjmë Shqipërinë pjesë të Bashkimit Europian. Ne po heqim vizat. Askush nuk mund të kthejë dot mbrapsht historinë tonë të demokracisë. Askush. Aq më pak ai që 8 dhjetorin e quan fatkeqësi. Ata që kanë nostalgji për anën e gabuar të historisë, janë shumë pak. Përballë kanë gjithë energjinë pozitive të miliona shqiptarëve. Me 8 Dhjetor e pamë. Të gjithë e panë. Jo më Mur Berlini. Kurrë më”, tha më tej Topalli. Më tej, kryetarja e kuvendit i bëri thirrje opozitës së Edvin Ramës që të rrëzojë murin e bojkotit. “Ju bëj thirrje edhe deputetëve të opozitës. Rrëzojeni murin e bojkotit. Është një Mur Berlini. Rrëzojeni murin e mashtrimit. Është një mur Berlini. Rrëzoni murin e interesave kriminale ekonomike. Është një Mur Berlini. Më 28 Qershor shqiptarët ju votuan për të kryer detyrën e shenjtë të opozitës këtu në Parlament. Me 8 Dhjetor të gjithë ishin në shesh tamam si në vitin ’90. Vetëm se ishim shumë më shumë. Vetëm ai që nuk pranon 8 dhjetorin e 1990, nuk pranon as 28 Qershorin 2009. Tirana, do jetë gjithmonë në zemër të Europës”, përfundoi përshëndetjen e saj, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, duke falënderuar të gjithë shqiptarët me rastin e festës madhështore të 8 dhjetorit, ditën e Rinisë dhe të Pluralizmit.
...