E Shtunë, 31 Tetor 2026

Evropa përballë bllok-ut dhe automatikut të Tiranës

Share

Nga Mero Baze

Po merret shumë lehtë mosmarrja e ftesës për statusin e vendit kandidat për anëtar në Bashkimin Evropian. Kryeministri ka qetësinë e një krimineli gjakftohtë ta quajë ndëshkim, ndërsa opozita po operon me terma të butë të baltosjes së qeverisë. Në të vërtetë ka ndodhur diçka shumë më e rëndë se ndëshkimi. Ish Jugosllavia është pranuar e ringjallur në Bashkimin Evropian dhe është përjashtuar vetëm Shqipëria dhe Kosova, të cilës iu gjymtua dhe statusi i pavarësisë. Po ashtu duket se nuk është kuptuar mirë çfarë problemesh do të na sjellë parakalimi i Serbisë. Çdo hap i yni pas saj në Bashkimin Evropian do të ketë përballë dhe kushtëzimet që vijnë prej saj, dhe pse jo humbjen në paqe të asaj që fituam me luftë për Kosovën.

Në këtë histori ka vetëm një përgjegjës dhe ai është pushteti në Shqipëri. Raportet e këtij pushteti me Bashkimin Evropian kanë pësuar një krisje të thellë jo nga 12 kushtet e paplotësuara teknike, të cilat dikur mund të plotësohen, por nga regresi politik, i cili është thelbësor për cilësinë demokratike të një vendi që përfshihet në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian. Ajo që ndodhi javën që shkoi nuk ishte ndonjë refuzim statusi për Shqipërinë, pasi statusi refuzohet ose miratohet në tetor. Ajo ishte diçka më e rëndë. Parlamenti Evropian e ka në traditë të tij që bën një raport paraprak politik për vendet aspirante dhe në këtë traditë të tij ai nuk përfshiu më Shqipërinë. Edhe Kosovën e përfshiu, por Shqipërinë jo. Arsyeja është se pjesa politike e Bashkimit Evropian, pra Parlamenti Evropian, ka përjashtuar Shqipërinë nga perceptimi i tij për vendet që duhet ti bashkohen Evropës. Dhe eurodeputetët që mbulojnë Shqipërinë, Kukan dhe Swoboda, njëri i djathtë dhe tjetri i majtë, i kanë shpjeguar qartë arsyet e tyre. Ato janë dy arsye dhe nuk lidhen fare me 12 kushtet teknike të Bashkimit Evropian. Arsyet janë gjyqi farsë i Ilir Metës dhe beteja e Berishës kundër gjykimit të drejtë të 21 Janarit. Këto dy kushte politike nuk përfshihen tek 12 kushtet e famshme, nga të cilat tre kërkojnë mbështetje të opozitës dhe nëntë të tjera vullnet të qeverisë. Problemi i këtyre dy kushteve politike që tejkalojnë 12 kushtet teknike është se ato nuk mund të riparohen as në vjeshtë dhe as në pranverën që vjen. Ato kanë ndodhur si krime kundër sistemit që kemi pranuar dhe për më tepër janë arshivuar si krime të pushtetit politik kundër sistemit të demokracisë. Ato dëshmojnë një standard të papranueshëm të demokracisë në Shqipëri, me të cilin nuk shkon dot as në Bashkimin Afrikan dhe jo më atë Evropian.

Çështja e parë, ajo e Ilir Metës, ka zemëruar me të drejtë Bashkimin Evropian. Kur gjykata shqiptare refuzoi ekspertizën e ardhur nga SHBA dhe më pas nga Britania e Madhe, Bashkimi Evropian zyrtarisht iu ofrua Gjykatës së Lartë të Shqipërisë për të bërë ekspertizën në një vend anëtar të Bashkimit Evropian. Gatishmëria, siç kemi theksuar atëherë, synonte të testonte vullnetin politik për dënimin e korrupsionit në Shqipëri. Gjykata e Lartë e Shqipërisë, e cila është kthyer në një grup të gatshëm të qeverisë, nuk e përfilli nën këshillat e qeverisë Bashkimin Evropian. Refuzoi ofertën e tij për ekspertizën dhe sajoi një ekspertizë qesharake dhe një procedurë, e cila la pa u gjykuar një skandal për të cilin në Evropë nuk e shikon më dritën e diellit. Ishte kjo arsye që eurodeputetët Kukan dhe Swoboda pranuan se ka një perceptim negativ për mënyrën se si u gjykua çështja e Ilir Metës. Edhe pse perëndimorët janë shumë të ndjeshëm ndaj komentimit të vendimeve të gjykatave, në këtë rast ata ishin në të drejtën e tyre pasi gjykata kishte refuzuar standardin e tyre për ekspertizë mbi të cilën mund të gjykohej më pas.

E njëjta histori po ndodh me 21 Janarin. Byroja Federale e Hetimeve ka sjellë një hetim të plotë mbi autorët e vrasjeve në bulevard, ndërsa gjykatat tona jo vetëm që nuk po i marrin parasysh ato, por bëjnë një hetim të ri gjyqësor në proces e sipër duke rishkruar në mënyrë të turpshme ngjarjet që janë dokumentuar ndryshe nga hetimi profesional i FBI. Për tua bërë më të prekshme se çpo ndodh, mjafton tu sjell në mendje një ngjarje të dhimbshme të para disa javëve kur një grua u vra në kryeqytet. Prokuroria dyshon se burri i saj Ilia Basho ka porositur vrasjen dhe ka urdhëruar burgosjen e tij. Ilia Basho është me të drejtë në burg. FBI ka provuar që Ndrea Prendi ka vrarë së paku një qytetar dhe dyshohet për të dytë. Ai lihet i lirë nga gjykata. Me kriterin me të cilin është arrestuar qytetari Ilia Basho, duhet që për 21 Janarin të arrestohet Sali Berisha pasi ai është i dyshuari si porositës i vrasjeve, kurse Ndrea Prendi është ekzekutori. Pra, gjykatat shqiptare gjykojnë ndryshe një qytetar të dyshuar për krim dhe ndryshe një kryeministër të dyshuar për krim. Ky është një zhvillim cilësor që tregon sa poshtë ka rënë sistemi i drejtësisë, dhe pse nuk kemi asnjë shans të marrim statusin e vendit kandidat për anëtar në Bashkimin Evropian. 12 kushtet e Brukselit, edhe pse ne nuk po i realizojmë, nuk na ndihmojnë dot dhe sikur ti realizojmë. Dy ngjarje të rënda kanë prekur në thelb sistemin tonë dhe ato janë mosdënimi i Ilir Metës dhe mosdënimi i Sali Berishës, njëri për videoskandalin dhe tjetri për 21 Janarin. Për të rregulluar këtë imazh duhet jo vetëm ndryshim i pushtetit, por dhe një besueshmëri e madhe tek ata që do të vijnë se do ta lënë drejtësinë të lirë dhe të pakapur nga krimi. Asgjë nuk mund të bindë më një evropian që ne e meritojmë statusin kur shikon Ilir Metën të lirë dhe vrasësit e 21 Janarit të padënuar. E gjithë loja e Ilir Metës për të ndryshuar fjalorin politik në raport me Berishën është një lojë foshnjarake që synon mbajtjen e presidentit të ri brenda koalicionit, çka do të rrëzojë përfundimisht Republikën.

Opozita ka vetëm një shans të zhbllokojë këtë situatë dhe të ndihmojë Shqipërinë të arrijë së paku Serbinë, ende pa u bërë si e shtëpisë në Bashkimin Evropian. Duhet të rrëzojë këtë qeveri sa më shpejt dhe me çdo çmim. Ky është i vetmi kontribut që ajo mund të japë për të ndryshuar perceptimin e Perëndimit për pushtetin në Shqipëri si një pushtet që ka kapur drejtësinë, dhe ka bllokuar shtetin ligjor. Serbia u pranua në Bashkimin Evropian me një opozitë thellësisht antievropiane. Ne duhet të shpejtojmë rrugën drejt BE, duke rrëzuar një qeveri thellësisht antievropiane. E vetmja gjë perëndimore në këtë vend është të rrëzosh qeverinë antiperëndimore të Sali Berishës dhe të shpëtojmë nga imazhi i Ilir Metës me bllokun e shënimeve ku shënon milionat që i duhen për të futur në xhep dhe imazhin e Berishës me automatik në korridore të kryeministrisë më 21 Janar. Ajo që po ndodh me statusin e Shqipërisë nuk është ndëshkim, por një gjëmë e rëndë, të cilën do ta paguajnë shtrenjtë brezat e ardhshëm, por sidomos Kosova. Për shkak të bllokut të Ilir Metës dhe pistoletës së Ndrea Prendit, fati i shqiptarëve do të ngelet në dorë të humorit të qeverive në Beograd, të cilat mund të kushtëzojnë pas kësaj Kosovën dhe Shqipërinë. Dhe përtej kësaj, ne kemi prodhuar me këtë gjëmë një imazh gati alergjik për Evropën si një vend pa dinjitet, pa qytetarë dhe pa vlera perëndimore. Një vend të cil

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›