E Shtunë, 31 Tetor 2026

Evropa shpreh dëshirën të vijojë partneritetin me koalicionin e Berishës

Kryeministri Sali Berisha deklaron që nga Varshava, se aplikimi për në BE ishte një arritje historike për shqiptarët, e cila s’është bërë për motive elektorale, por që kërkon vijimin e reformave, prandaj - thotë ai - “interlokutorët evropianë shprehin dëshirën të vijojnë dialogun me Berishën”

TIRANE  - Kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha, i cili ndodhet në Varshavë për të marrë pjesë në Kongresin e Partive Popullore Evropiane, i është përgjigjur interesimit të mediave mbi paraqitjen prej tij të kërkesës së Shqipërisë për aplikimin si vend kandidat për në BE, vetëm një ditë më parë, në Pragë.
Duke iu referuar reagimeve dhe komenteve të ndryshme, porsa i takon aplikimit për statusin e vendit kandidat, Berisha deklaroi se dita e dorëzimit të kërkesës do të mbetet një ndër ditët më të rëndësishme në historinë e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Prilli ishte një muaj historik për shqiptarët, siç do të shprehej zëvendëspresidenti i Senatit çek: Dy ngjarjet e mëdha të prillit për Shqipërinë janë rast i pashembullt për ndonjë vend tjetër, që ndodhën në një hark kohor 24 ditor: anëtarësimi në NATO dhe aplikimi për vendin kandidat për anëtarësimin në BE. Ky aplikim u bë me konsensus të plotë me kryesinë e radhës së BE-së, e cila hapin e ndërmori pas pëlqimit të vendeve anëtare, me faktorët kryesorë evropianë, me Komisionin Evropian”, u shpreh Kryeministri, duke shtuar se kjo arritje përbën vërtet një arritje historike për shqiptarët.
“Jehona është jashtëzakonisht pozitive. Të gjitha agjencitë e mëdha të botës, mediat me prestigjioze evropiane, kanë dhënë fuqishëm lajmin dhe kanë mirëpritur Shqipërinë. Dhe pas 4 prillit, Shqipëria i jep botës mesazhin e dytë të madh pozitiv, lajmin e dytë të madh, të mirë”, tha kryeministri.
Kreu i qeverisë e hodhi poshtë të gjitha komentet dhe supozimet se hapi i hedhur për aplikimin në BE, ishte elektoral. Kryeministri Berisha deklaroi se dorëzimi i kërkesës për aplikimin e vendit kandidat në BE, ka qenë një hap programatik, i bërë në përputhje të plotë me programin e kësaj mazhorance.
“Të mendoj se 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian u angazhuan në fushatë elektorale me Sali Berishën, kjo do të më dukej tepër. Nuk e mohoj se janë të shumtë interlokutorët që shprehin qartazi dëshirën e vazhdimit të dialogut me Berishën, por nuk mund të interpretohet dita e djeshme si një hap elektoral. Ka qenë një hap programatik, i bërë në përputhje të plotë me programin e kësaj mazhorance”, u shpreh kreu i qeverisë Sali Berisha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›