Shtëpia e orgjisë, liri furnitorëve
Armand Bajrami
Gjykata e Tiranës liron dy prej të arrestuarve të së martës nga operacioni "Mesnata", ndërsa lë në "arrest me burg" dy të tjerët. Ivi Bego, Ardian Tati, Denis Lekbello dhe Gledi Mikerezi u paraqitën dje në Gjykatën e Tiranës për caktimin e masës së sigurisë. Burime pranë gjykatës së kryeqyteti pohuan se asnjëri nga të pandehurit nuk pranoi të ishte shitës i lëndës narkotike dhe as prodhues i saj. "Jemi përdorues. E kemi blerë dhe do ta përdornim në dëshirën tonë", mësohet të jenë shprehur ata përpara gjykatës. Avokatët mbrojtës kërkuan masa më të lehta se ajo e burgut për klientët e tyre. Por provat e paraqitura nga prokuroria bindën gjykatën vetëm për të pandehurit Lekbello, 22 vjeç dhe Mikerizi, 26 vjeç, për të cilët gjykata caktoi masën e sigurisë "detyrim paraqitjeje". Për dy të pandehurit e tjerë, Ivi Bego, 36 vjeç dhe Ardian Tati, gjykata vendosi masën e "arrestit me burg" deri në përfundim të hetimeve.
Operacioni që vuri në pranga 4 persona, si dhe shoqëroi në polici 15 adoleshentë, mes të cilëve 3 vajza, u zhvillua mbrëmjen e së martës nga policia e Tiranës. Antidroga kryeqytetase ishte vënë në ndjekje të Begos, person i dënuar më parë për prodhim dhe shitje narkotikësh. Mbrëmjen e së martës ai dhe 3 personat e tjerë u prangosën në një nga rrugicat pranë Pazarit të Ri. Në momentin e arrestimit ata ishin në automjetin "Opel Corsa" në pronësi të Begos. Pas kontrollit të ushtruar në bagazhin e automjetit u gjetën disa doza hashashi dhe kokaine. Në një nga banesat e tyre u zbulua një total prej 136.2 gramë kanabis dhe 6.4 gramë kokainë.
Por kontrolli i banesave të të arrestuarve zbuloi edhe një "shtëpi mëkati" për policinë. Në një banesë në pronësi të Ivi Begos, në një ndërtesë të njohur si "Vila 101", pranë sheshit "Avni Rustemi", policia gjeti 15 adoleshentë duke konsumuar lëndë narkotike. Sipas policisë, 3 prej adoleshentëve ishin femra dhe se të gjithë ata ishin përdorues narkotikësh. Pas shoqërimit në polici, gjimnazistët deklaruan se lënda narkotike u sigurohej nga dy prej të arrestuarve. Në të njëjtin apartament ku u gjetën nën avujt e alkoolit dhe tymit të kanabisit 15 të rinjtë, ka banuar disa muaj më parë me qira ambasadori i Kosovës në Tiranë, Islam Lauka. Sipas hetimeve pronari i apartamentit në fjalë dyshohet se kishte rreth 60 klientë të rregullt që konsumonin lendë narkotike masivisht.
Shtëpia e "mëkatit"
Pas shoqërimit në polici të 15 gjimnazistët iu nënshtruan pyetjeve të oficerëve të antidrogës. Sipas adoleshentëve nuk ishte hera e parë që ata shkonin në banesën tek "Pazari i Ri". Për të "bujtur" aty, të rinjtë zgjidhnin orët e vona të natës kur edhe lokalet, apo aktivitetet e tjera të zonës mbyllnin punën. Pasi ngjiteshin në katin e tretë të ndërtesës, ata qëndronin aty me orë të tëra duke konsumuar hashash edhe kokainë në grup.