E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dilema serbe dhe Këshilli i Sigurimit

Ylber LILI

Shikuar rrjedhën e etapave, serbët janë ballafaquar me dilemën historike: të ruajnë Jugosllavinë ose të bëjnë shtetin e tyre të madh Serbinë. Meqë të gjitha përpjekjet për ruajtjen e Jugosllavisë dështuan, ata kaluan në planin B, realizimin e projektit të Serbisë së Madhe. Ndonëse ky plan binte ndesh me shtetet e tjera, jo vetëm pjesëtare të Jugosllavisë, por edhe faktorët ndërkombëtar, politika nacionaliste serbe e mbështetur dhe e sponzorizuar nga Rusia ëndërronte rolin hegjemon në Ballkanin perëndimor. është fakt që të gjitha kapacitetet dhe energjitë, Beogradi i ka vënë në funksion të realizimit dhe ligjitimimit të projektit të tyre anakronik.
Deri më tani, nuk rezulton asnjë rast që politika serbe të tregojë shenja për paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajonin e Ballkanit. Madje, ajo vazhdon të shfrytëzojë maksimalisht çdo përkëdhelje, apo "deriçkë" që i hapet nga faktorë të ndryshëm, për të përmbushur misionin e saj hegjemonist.
Në Konferencat ndërkombëtare, Serbia merrte pjesë aktive vetëm nëse ishin në funksion të legalizimit të idesë për krijimin e Serbisë së Madhe, hegjemonit të ri që do ta kontrollonte pjesën më strategjike të Ballkanit. Në ato konferenca, si bie fjala e Rambujesë, ku merreshin vendime kundër krijimit të Serbisë hegjemoniste ajo nuk merrte pjesë seriozisht. Kjo mendësi vazhdon sot e gjithë ditën. Shtetarët, pushtetarët, politikanët dhe akademikët serbe, shfrytëzojnë në maksimum, çdo udhëtim, takim, tryezë më faktorë ndërkombëtare në funksion të projektit të tyre tashmë fantazmë.
Madje, ata krijojnë lloj-lloj inskenimesh, incidentesh dhe krizash për të legjitimuar projektin e tyre. A nuk ishin ngjarjet dramatike në Mitrovicë javën e shkuar të projektuara, sponsorizuara, të dirigjuara nga qarqet politike të Beogradit?!
Megjithëse ende mungojnë faktet zyrtare, gjithsesi panorama e ngjarjeve, përpjekjet e pareshtura të serbeve për ta vendosur Kosovën në pistën e shtetit të dështuar (duke fajësuar SHBA-të dhe vendet e BE-së për njohjen e pavarësisë), pra, këmbëngulja e tyre për ta ç'bërë Pavarësinë e Kosovës dhe mbi të gjithë logjika e hegjemonit në Ballkanin perëndimor e forcojnë bindjen se Serbia është përgjegjësi kryesor i ngjarjeve të rënda në Mitrovicë.
E thënë më troç, vrasja e një personi, plagosja e dhjetërave të tjerëve, sikundër plagosja e deputetit serb të Kosovës janë "kurban" i dilemës - projektit anakronik serb nga njëra anë dhe kontestimit të Pavarësisë së Kosovës nga ana tjetër. Fundja, asgjë nuk është e rastësishme në këtë episod tragjiko-komik.
Nuk është rastësi që incidentet në veri të Mitrovicës patën një kulm pikërisht në një moment kur pritet vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës. Në këtë kontekst, gjatë kësaj periudhe është folur shumë për ofensivën serbe në planin politik, propagandistik, diplomatik, madje ka pasur edhe hipoteza lidhur më vendimin e Gjykatës ndërkombëtare të Hagës, vendim ky që mund të kënaqte oreksin e projektit serb. Kjo hipotezë në fakt buronte jo vetëm nga lobingu, por edhe nga sponsorizuesit kryesorë të Serbisë, Rusia, etj. Mirëpo, tashmë kjo hipotezë nuk ekziston.
Debati i zhvilluar në Këshillin e Sigurimit, natyrisht rast për t'u harruar për nga preteksti i takimit, certifikoi sërish se shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk ka kthim (prania dhe fjala e zëvendës shefi i misionit amerikan në Kombet e Bashkuara, konfirmoj edhe njëherë se: SHBA-të nuk bëjnë shaka). Përtej këtij argumenti, nisma e Këshillit të Sigurimit, fillimi dhe përfundimi i mbledhjes nxori në shesh edhe dy elemente të tjerë: Serbia nga ana e saj përjetoi fiaskon e radhës, sikundër vetë mënyra sesi u mblodh Këshilli i Sigurimit mund të jetë objekt i pafund diskutimesh për seriozitetin e saj. E thënë në mënyrë të përmbledhur, e gjithë kjo histori e zhvilluar në pak ditë, ngjan me atë proverbin: u drodh mali, polli një mi. Asgjë më shumë!
Gjithsesi edhe pak fjalë lidhur me mënyrën sesi procedoi Këshilli i Sigurimit, që për hir të së vërtetës ka dëmtuar tej mase imazhin dhe rolin e saj të vërtetë. Së pari ngjarja në thelb nuk ishte me përmasa dramatike, aq sa Këshilli i Sigurimit të brofte në këmbë, a thua po përmbysej bota. Madje incidente të këtij lloji, janë punëra që u takojnë organeve kompetente, të cilët funksionojnë në kuadër të shtetit, në rastin konkret të Kosovës. Të gjithë duhet të jenë në pritje të përfundimit të hetimeve, madje edhe Këshillit i Sigurimit. Ndoshta është momenti që nigeriani-kryesuesi i Këshillit ka nevojë për të njohur ca procedura elementare…
Në këtë kuptim, Këshilli i Sigurimit për rastin e incidenteve të fundit në Mitrovicë më ngjan si "komisariat kaotik policie". Së dyti, me këtë takim të ngutshëm, absolutisht i njëanshëm, Këshilli i Sigurimit ka vënë në pikëpyetje rolin që ka si organizatë. Së treti, përballë argumenteve, askush nuk mund ta vendosë agresorin në dimensionin e viktimës. Pra, me gjithë përpjekjet e Tadiçit për ta klasifikuar incidentit si akt terrorist me aktorë shqiptarë, argumentet e paraqitura nga përfaqësuesi zyrtar i Kosovës, Hyseni dhe mbi të gjitha fjala e zëvendës shefit të misionit amerikan në Kombet e Bashkuara Alexander ëolff, nxori bllof jo vetëm planin serb, por edhe kotësinë e iniciativës së nxituar të Këshillit të Sigurimit. Zoti Wolff, e quajti ngjarjen e 2 korrikut në Mitrovicën veriore një akt kriminal të izoluar dhe jo një akt të planifikuar terrorist. Ai bëri thirrje për një hetim të mëtejshëm të incidentit nga ana e autoriteteve. Më tej Wolff është shprehur se Shtetet e Bashkuara nuk mendojnë se një akt i izoluar kriminal justifikon thirrjen e një takimi të ngutshëm të Këshillit të Sigurimit. Në këtë kontekst, fjala e përfaqësuesit të SHBA-ve në OKB, duhet lexuar si reagim nga njëra anë ndaj veprimit natyrisht arbitrar të kryesuesit të Këshillit të Sigurimit. Sidoqoftë, takimi pati edhe anën e saj "pozitive". Sërish doli në pah dilema e përjetshme serbe. Këta të fundit marrin pjesë në konferenca dhe takime me shpresën e legjitimimit të projektit të tyre anakronik, në të kundërt ata i'a mbathin nga sytë këmbët. Gjesti i Tadiçit e dëshmon një gjë të tillë! Telenovela nuk ka përfunduar! Pas vendimit të Gjykatës ndërkombëtare të Hagës, mund të krijojnë precedentin e radhës. Leksiku i fjalorit të politikaneve serb do të shumohet me togfjalësh, për shembull: ndarje e Mitrovicës, shkëmbim territoresh, etj. Si përfundim telenovela ëndërrimtare serbe do të vazhdojnë, mjafton që Këshilli i Sigurimit të mos marrë poza qesharake! Fundja, Këshilli i Sigurimit nuk duhet të shndërrohet në panair kotësie!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›