E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vritet në oborr për një vijë uji



SHKODER/ RIDVAN DIBRA

Për një vijë uji ekzekutohet me armë zjarri 62-vjeçari. Ndoc Voci nga fshati Kir i Dukagjinit u vra në oborrin e shtëpisë së tij pas një grindjeje me autorin 23-vjeçar, Gjokë çukaj. Ngjarja ndodhi në orët e vona të së mërkurës. Mësohet se viktima, duke parandjerë se konflikti i nisur shumë kohë më parë mund të përfundonte në tragjedi, kishte bërë edhe denoncim në Drejtorinë e Policisë së Shkodrës të martën. Por, pa kaluar 48 orë nga kallëzimi i kryer prej tij, ai vritet. Dyshohet se shkak për vrasjen është hakmarrja për denoncimin në polici të viktimës. Policia e Shkodrës bëri të ditur se autori i dyshuar i këtij krimi është 23-vjeçari Gjokë çukaj, i cili është shpallur person në kërkim. Të njëjtat burime u shprehën se rreth orës 22:00 të së mërkurës, në sallën operative të drejtorisë së policisë së Shkodrës është njoftuar se në fshatin Kir, Komuna Pult në Dukagjin është vrarë me armë zjarri Ndoc Voci. Babai i katër fëmijëve ka gjetur vdekjen e menjëhershme si pasojë e plumbave të shumtë që ai kishte marrë në trup. Familjarët e viktimës, pasi kanë dëgjuar krismat e armës kanë dalë nga banesa dhe kanë gjetur 62-vjeçarin në oborr të mbuluar me gjak. I ndjeri kishte qenë duke hyrë në oborrin e shtëpisë së tij në lagjen "Kasnec", në fshatin Kir kur është qëlluar disa herë me pistoletë. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, ekspertët e policisë shënuan në dosjen kriminale se vrasësi e ka qëlluar viktimën nga një distancë e afërt, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Policia e Shkodrës, duke iu referuar edhe kallëzimit që kishte bërë Ndoc Voci dy ditë para se të ndodhte vrasja, doli në rezultatin paraprak se ngjarja ka lidhje me një konflikt të vjetër për çështjen e një vije uji me disa fqinjë të tij. I dyshuar kryesor për vrasjen e tij është 23- vjeçari çukaj, arrestimi i të cilit ende nuk është bërë i mundur. Gjatë kontrollit të ushtruar nga policia që nga mbrëmja e krimit si dhe gjatë ditës së djeshme, i kërkuari nuk është gjendur në banesën e tij. Për këtë shkak, blutë e kanë nxjerrë atë në kërkim duke ngritur edhe dy akuza ndaj tij, "vrasje me dashje" si dhe "armëmbajtje pa leje".
Tre muaj më parë, në një tjetër fshat të Dukagjinit, në komunën Shalë, një 33- vjeçar u vra dhe babai i tij u plagos pas një konflikti po për ujin. Kjo është vrasja e gjashtë që ndodh në qarkun e Shkodrës që nga fillimi i këtij viti. Në të shumtat e rasteve, shkak i tyre ka qenë pronësia apo konflikte të tjera të ngjashme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›