Rezoluta e PE,PD e PS ulin tonet në Kuvend: Hetim materialeve
ADI SHKEMBI
Parlamenti Europian miraton me konsensus rezolutën për Shqipërinë, ku i bëhet thirrje klasës politike të tejkalojë krizën, zgjidhja e të cilës do të vendosë edhe për integrimin e vendit. Në të njëjtën kohë në dokumentin e hartuar nga eurodeputeti grek Nicolas Countis vlerësohet progresi në drejtim të heqjes së vizave. Pas diskutimit të një dite më parë, të djathtët dhe të majtët ranë dakord për një pjesë të amendimeve të paraqitura dhe e votuan rezolutën me 567 vota pro, 47 kundër dhe 19 abstenim.
Amendamentet
Eurodeputetët e majtë paraqitën dje para votimit disa amendamente për zgjidhjen e krizës politike. Përfaqësuesi i PSE-së, Libour Roucek propozoi fillimisht miratimin e një paragrafi, sipas të cilit komisioni hetimor parlamentar që do ngrihet në Kuvend të hetojë të gjitha materialet zgjedhore. Por eurodeputetja e djathtë, Doris Pack tha se PPE mund ta votojë këtë amendament duke hequr fjalët “të gjitha”, duke bërë në këtë mënyrë që të specifikohet që komisioni hetimor nuk mund të prekë kutitë e votimit. “Parlamenti shënon, se baza e komisionit hetimor parlamentar shqiptar për të hetuar zgjedhjet e 2009, ku kryesia e komisionit dhe shumica e tij janë të seleksionuar nga opozita, me një mandat për të hetuar materialet zgjedhore, duhet të zbatohet sa më shpejt të jetë e mundur”, thuhet në amendament. Në të njëjtën kohë thuhet se “komisioni hetimor duhet të prezantojë konkluzionet e tij në kohë, në mënyrë që të bëhet i mundur aprovimi i legjislacionit të ri para zgjedhjeve lokale të 2011, mbi bazën e propozimeve të komisionit dhe të OSBE/ODHIR”. Rezoluta për Shqipërinë thekson se integrimi europian i vendit është në varësi të kapërcimit të krizës politike. “Parlamenti shpreh që Qeveria shqiptare dhe opozita e kupton siç duhet se kapërcimi i situatës konfliktuale është kyç për progresin e aspiratat europiane të Shqipërisë. Përshëndet konkluzionet e Ministrave të Jashtëm të 17 qershorit, ku thuhet se është tashmë koha që të gjendet një zgjidhje që të përballet me testin e kohës dhe që është përgjegjësia e Qeverisë shqiptare dhe e opozitës që të gjejnë një zgjidhje në mënyrë transparente dhe në respekt të plotë të Kushtetutës së Shqipërisë, e cila është e nevojshme për rrugën e vendit drejt BE-së”, thuhet në amendamentin 1 të miratuar me konsensus në Parlament. Ndërsa amendamenti i tretë i pranuar nga shumica dërrmuese e forcave politike kërkon zbatimin e një reforme konsensuale për rregulloren e Kuvendit. Në të njëjtën kohë eurodeputetët hodhën poshtë disa amendamente të propozuara nga e djathta ekstreme sipas të cilës Shqipëria nuk është gati për heqjen e vizave dhe integrimi i saj duhet penguar. Në draftin përfundimtar nuk u pranua as fjalia “Shqipëria është një nga vendet më të korruptuara” si dhe fjalia “Shqipëria është anëtare e Organizatës së Konferencës Islamike, një organizatë që kufizon të drejtat e njeriut në ato që përfshihen në Sharia dhe për këtë bie në kundërshtim me principet kryesore të BE”. Përsa i përket heqjes së vizave Parlamenti Europian mirëpret mbështetjen ndërpartiake për liberalizimin e vizave, shprehur në rezolutën e Parlamentit shqiptar të 11 marsit 2010 dhe vlerëson progresin e bërë nga Shqipëria dhe nxit Komisionin që të verifikojë sa më shpejt në terren plotësimin e kushteve të mbetura, në mënyrë që vendi të përfitojë heqjen e kësaj barriere brenda vitit.
votat
567 vota pro rezolutës 47 kundër rezolutës 19 abstenim rezolutës
Rezoluta e PE
Amendamentet e pranuara
nParlamenti shpreh shpresën që Qeveria shqiptare dhe opozita e kupton siç duhet se kapërcimi i situatës konfliktuale është kyç për progresin e aspiratat europiane të Shqipërisë. Përshëndet konkluzionet e Ministrave të Jashtëm të 17 qershorit, ku thuhet se është tashmë koha që të gjendet një zgjidhje që të përballet me testin e kohës dhe që është përgjegjësia e Qeverisë shqiptare dhe e opozitës që të gjejnë një zgjidhje në mënyrë transparente dhe në respekt të plotë të Kushtetutës së Shqipërisë, e cila është e nevojshme për rrugën e vendit drejt BE-së.
n Integrimi europian i vendit është në varësi të kapërcimit të krizës politike.
n Parlamenti shënon, se baza e komisionit hetimor parlamentar shqiptar për të hetuar zgjedhjet e 2009, ku kryesia e komisionit dhe shumica e tij janë të seleksionuar nga opozita, me një mandat për të hetuar materialet zgjedhore, duhet të zbatohet sa më shpejt të jetë e mundur. Komisioni hetimor duhet të prezantojë konkluzionet e tij në kohë, në mënyrë që të bëhet i mundur aprovimi i legjislacionit të ri para zgjedhjeve lokale të 2011, mbi bazën e propozimeve të komisionit dhe të OSBE/ODHIR.
n I kërkohet që të hartojë draftin dhe zbatimin e një reforme konsensuale të rregullores së procedurës së Parlamentit shqiptar, që të sigurojë transparencë për kapacitetet administrative dhe financiare, një legjislacion të bazuar mbi ekspertizën e cilësisë së lartë dhe një mbikëqyrje të përfaqësimit dhe të drejtave adekuate të përfaqësuesve të opozitës në komisionet parlamentare dhe aktivitetet parlamentare dhe i bën thirrje Qeverisë dhe opozitës për një dialog konstruktiv për të siguruar një proces legjislativ të hapur dhe transparent në bashkëpunim me aktorët e tjerë të përfshirë në këtë proces.
Amendamentet e rrëzuara
nShqipëria mbetet me performancën më të keqe në rajon, sidomos dhe veçanërisht me nivelin e lartë të korrupsionit.
nThekson se Shqipëria është anëtare e Organizatës së Konferencës Islamike, një organizatë që kufizon të drejtat e njeriut në ato që përfshihen në Sharia dhe për këtë bie në kundërshtim me principet kryesore të BE.
nI bën thirrje Komisionit dhe Këshillit të mos nisë negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë.
Basha:Opozita spekulon me sigurinë në vend
Ministri i Brendshëm Lulzim Basha reagoi dje në Kuvend pas akuzave të ardhura nga kreu i grupit parlamentar të PS-së Gramoz Ruçi për sigurinë në vend. Basha deklaroi se opozita po spekulon me sigurinë në vend, në një moment kur është piku i sezonit turistik. Sipas Bashës, të gjitha raportet dhe institucionet e huaja shprehin një zhvillim pozitiv për sigurinë brenda vendit si dhe për uljen e ndjeshme të trafikimit të qënjeve njerëzore. “Ju spekuloni me sigurinë e vendit kur vendi është në prag të liberalizimit të vizave. E vërteta është certifikuar nga institucionet ndërkombëtare ku edhe raporti i fundit nga SHBA përgëzon Qeverinë për luftën ndaj krimit dhe në veçanti të qënieve njerëzore”, deklaroi Basha. Ai më tej akuzoi të majtët duke thënë se “ju spekuloni me rendin publik dhe sigurinë e kufirit, por jeni ju që rekrutuat e armatosët banditët e Zani çaushit”. Reagimi i Bashës erdhi pas akuzave të Ruçit në Kuvend, i cili tha se “jo gjatë, por para gjysmë ore, në mes të Tiranës, vritet një qytetar. Nuk e di se kë po dëgjoj të flasë, por shpresoj të mos jetë Ministri i Brendshëm që thotë u vra një kriminel 25- vjeçar”.
Kriza, PD-PS ulin tonet në Kuvend
Erald Kapri
Maxhoranca dhe opozita duket se po gjejnë gjuhën e përbashkët për ngërçin politik, i cili zgjat prej mëse 1 viti, atë të hetimit të zgjedhjeve të kaluara. Të dyja palët përshëndetën dje në Kuvend Rezolutën e Parlamentit Europian, e cila shpreh nevojën e hetimit të zgjedhjeve nëpërmjet një komisioni hetimor sipas kushteve që ofron ligji dhe Kushtetuta shqiptare. Kryeministri Sali Berisha ftoi opozitën që të nisin pa vonesë, ngritjen e Komisionit hetimor Parlamentar që të hetojë materialet zgjedhore. Sipas liderit të maxhorancës, të dyja palët duhet të bien dakord për një metodikë të përbashkët. “Jam këtu para jush t’ju bëj thirrje të fillojmë pa vonesë shqyrtimin, sipas metodikës që biem dakord, të materialeve të votimit. Kjo mendoj është një detyrim moral i maxhorancës ndaj opozitës, por kjo është gjithashtu, edhe një e drejtë ligjore e çdo deputeti, grupi deputetësh apo qytetari për të parë materialet e votimit”, tha Berisha në Kuvend.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Gramoz Ruçi u shpreh se tashmë duhet të kalojë kriza politike dhe të dyja palët duhet të gjejnë konsensusin. “është hera e parë që PE citon se Qeveria dhe opozita duhet të kuptojnë domosdoshmërinë e kalimit të krizës, si një kërkesë e domosdoshme për integrimin e Shqipërisë në BE, fjalë për fjalë: domosdoshmërinë e kalimit të krizës politike. Të ulemi në një dokument të miratuar ashtu sikurse e cituat ju”, tha Ruçi. Pas këtij qëndrimi, kreu i qeverisë Berisha tha se “dua të shpreh vlerësimin tim për diskutimin e zotit Ruci dhe gatishmërinë që zoti Ruci me gjithë vërejtjet normale shprehu që mbi bazën e rezolutës, të bashkëpunojmë”.
Kreu i socialistëve në Kuvend përmendi edhe 5 pikët që sipas tij duhet të zbatohen, dhe që përmenden në Rezolutën e PE-së. Sipas Ruçit, Rezoluta kërkon “domosdoshmërinë e ngritjes të komisionit hetimor, përbërjen e komisionit hetimor me shumicë nga opozita, e thotë rezoluta, drejtimin e komisionit hetimor nga opozita, e kërkon rezoluta, objektin e komisionit hetimor, që ne kemi 12 muaj që e kërkojmë, e kërkon rezoluta si dhe kohën e cila duhet të përfundojë, dhe t’ju paraprijë ndryshimeve dhe reformës në kodin elektoral, e kërkon rezoluta”.
Kreu i maxhorancës Berisha tha më tej se opozita mund të hartojë të gjitha amendamentet në ndryshimet ligjore që duhen për reformën zgjedhore. Sipas tij, maxhoranca do të pranojë çdo amendament të propozuar nga opozita. “Ne i qëndrojmë plotësisht vendimit tonë që ju të udhëhiqni komisionin, që në mënyrën më të padiskutueshme, të keni shumicën në çdo votim në këtë komision, i qëndrojmë plotësisht që ju, si opozitë, të hartoni të gjitha amendamentet për zgjedhjet e ardhshme, në mënyrë që të gjeni nëpërmjet tyre garancitë më të mëdha ligjore”, premtoi Berisha.
Mes dy liderëve u debatua edhe për temën e ditës, ajo e miratimit të dekreteve në Gjykatën e Lartë. Berisha tha se maxhoranca po vepron parimisht, duke pranuar nga një anë tjetër se brenda kampit të tij politik ka pasur kërkesa për tu emëruar si gjyqtarë në Gjykatën e Lartë apo më tej në sistemin e drejtësisë. “Duhet ta dini që në kampin tim kam jo një, por disa, jo vetëm të niveleve të ulëta, por edhe të niveleve më të larta, të cilët kanë marrë përgjigje negative nga unë dhe në qoftë se kanë marrë përgjigje negative nga unë, e kanë marrë për shkakun tuaj, duke u thënë se ata që janë në krahun tjetër, nuk do të kenë dëshirë të gjykohen nga një ish deputet apo ish politikan i Partisë Demokratike. E njëjta është edhe për të tjerët”, tha Berisha.
Debati Berisha-Ruçi ne kuvend
Sali Berisha:Erdha sot për të përshëndetur nga kjo tribunë e lartë rezolutën e sapo votuar të Parlamentit Europian, e cila mori pothuajse në tërësi votat e tempullit të demokracisë europiane, një rezolutë që i kushtohej Kosovës dhe Shqipërisë. Kjo mbështetje përbën vlerësimin më të madh, në historinë e këtij Parlamenti, ndaj përpjekjeve të shqiptarëve për të ndërtuar demokracinë, shtetin ligjor, vlerësimin më të madh ndaj rezultatit të reformave të gjithanshme që e kanë bërë demokracinë shqiptare, një demokraci funksionale dhe ekonominë e tregut të këtij vendi, një ekonomi tregu funksionale, kanë bërë që Shqipëria të jetë faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon.
Gramoz Ruçi: është një rezolutë e mohuar sot e 5 vjet për Shqipërinë dhe për shqiptarët. është një rezolutë që për Shqipërinë dhe për shqiptarët është shtyrë dy herë. është një rezolutë që vjen edhe pas Bosnjës. Prandaj opozita shqiptare e përshëndet, se është më mirë vonë se kurrë. Por ju që duartrokisni dhe unë që flas duhet t’i bëjmë pyetjen vetes: Pse vendi ynë në 5 vjet pa rezolutë?!
Sali Berisha: Parlamenti kërkon bazuar në kërkesën e opozitës, hetimin e materialeve të votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit dhe përcakton këtë objekt hetimi të komisionit hetimor parlamentar, si dhe amendamentet për zgjedhjet e ardhshme. Jam këtu para jush t’ju bëj thirrje të fillojmë pa vonesë shqyrtimin, sipas metodikës që biem dakord, të materialeve të votimit. Kjo mendoj është një detyrim moral i maxhorancës ndaj opozitës, por kjo është gjithashtu, edhe një e drejtë ligjore e çdo deputeti, grupi deputetësh apo qytetari për të parë materialet e votimit. Ne i qëndrojmë plotësisht vendimit tonë që ju të udhëhiqni komisionin, që në mënyrën më të padiskutueshme, të keni shumicën në çdo votim në këtë komision, i qëndrojmë plotësisht që ju, si opozitë, të hartoni të gjitha amendamentet për zgjedhjet e ardhshme, në mënyrë që të gjeni nëpërmjet tyre garancitë më të mëdha ligjore.
Gramoz Ruçi: Më lejoni zoti Berisha t’ju them që, është hera e parë që PE citon se Qeveria dhe opozita duhet të kuptojnë domosdoshmërinë e kalimit të krizës, si një kërkesë e domosdoshme për integrimin e Shqipërisë në BE, fjalë për fjalë: domosdoshmërinë e kalimit të krizës politike. E ulur në një dokument të miratuar ashtu sikurse e cituat ju. Kjo rezolutë thotë, është përgjegjësia e Qeverisë dhe e opozitës, që të gjejnë një zgjidhje konkrete për zgjidhjen e kësaj krize. Kemi 12 muaj që në Parlament dhe jashtë tij kërkojmë një komision hetimor për zgjedhjet. Rezoluta e Parlamentit Europian që të citojë siç thotë ajo:
1- domosdoshmërinë e ngritjes të komisionit hetimor
2- përbërjen e komisionit hetimor me shumicë nga opozita, e thotë rezoluta
3- drejtimin e komisionit hetimor nga opozita, e kërkon rezoluta
4- objektin e komisionit hetimor, që ne kemi 12 muaj që e kërkojmë, e kërkon rezoluta.
5- kohën e cila duhet të përfundojë, dhe t’ju paraprirë ndryshimeve dhe reformës në kodin elektoral, e kërkon rezoluta.
E pra humbëm 12 muaj kohë, vetëm për këtë fjali, vetëm për këtë dakortësi. Vetëm për domosdoshmërinë e hetimit të zgjedhjeve, vetëm që përbërja të jetë me shumicë nga opozita, drejtimi të jetë nga opozita dhe objekti i kërkuar nga opozita dhe me një kosto më të shpejtë që të prijmë reformën elektorale.
Sali Berisha: Në qoftë se ne përcaktojmë dy kritere dhe jo persona, unë absolutisht nuk e kuptoj kurrë se këto dy kritere duhet të jenë të papranueshme për ju. Duhet ta dini që në kampin tim kam jo një, por disa, jo vetëm të niveleve të ulëta, por edhe të niveleve më të larta, të cilët kanë marrë përgjigje negative nga unë dhe në qoftë se kanë marrë përgjigje negative nga unë, e kanë marrë për shkakun tuaj, duke u thënë se ata që janë në krahun tjetër, nuk do të kenë dëshirë të gjykohen nga një ish deputet apo ish politikan i Partisë Demokratike. E njëjta është edhe për të tjerët. Nuk kemi thënë dhe nuk themi kurrë se ky gjykatës, i cili ka dhënë vendime kundër Sali Berishës, këtij kryetari apo anëtari të PD-së nuk do të votohet në këtë sallë.
Gramoz Ruçi: Rezoluta kërkon që ne si parlamentarë, ne si institucione, ne si shqiptarë edhe në këtë rezolutë kemi detyra shtëpie. Që fillon me funksionimin e demokracisë, vazhdon me pavarësinë e organeve kushtetuese të këtij vendi, që nga dita në ditë po kërkohet uzurpimi i tyre. Vazhdon me fenomenet e korrupsionit galopant, me dorën e kriminalitetit, me lirinë e medias e me të tjera e të tjera. Pra opozita shqiptare është duke filluar që nga funksionimi i demokracisë, që fillon me hetimin e zgjedhjeve, le të ulemi bashkërisht t’i zgjidhim këto.
Sali Berisha:Unë dua të shpreh vlerësimin tim për diskutimin e zotit Ruci dhe gatishmërinë që zoti Ruci me gjithë vërejtjet normale shprehu që mbi bazën e rezolutës, të bashkëpunojë. Siguroj se maxhoranca është e gatshme të konkretizojë në frymë dhe në gen rezolutën e Parlamentit Europian në shndërrimin në realitet të ëndrrës shqiptare