Meta: Liberalizimi i vizave, brenda vitit, PS po dëmton vendin
“Liberalizimi i vizave do të realizohet brenda këtij viti, ndërsa opozita e kryesisht PS po dëmtojnë imazhin e vendit”. Kështu u shpreh dje kryetari i Lëvizjes Socialiste, Ilir Meta, në Berat ku shoqërohej nga deputetët Nasip Naço, Lefter Koka dhe nga anëtari i Kryesisë, Luan Rama, gjatë një takimi me anëtarët dhe simpatizantët e LSI-së në këtë qytet. Kryetari i LSI-së, gjatë fjalës së tij u ndal në procesin e integrimit të vendit, duke theksuar se janë bërë hapa të jashtëzakonshëm në këtë drejtim. Ai vlerësoi dorëzimin e Pyetësorit të Komisionit Evropian si një hap mjaft cilësor, ndërsa ritheksoi punën e madhe që është bërë për liberalizimin e vizave, duke u shprehur se heqja e tyre do të bëhet e mundur brenda këtij viti. Ai vlerësoi se ky proces ka jo vetëm një aspekt konkret për lëvizjen e lirë dhe ekonominë, por është dhe një çështje dinjiteti për qytetarët shqiptarë. Duke theksuar dhe një herë rëndësinë që ka procesi i integrimit të vendit, kryetari i LSI-së ftoi opozitën të mos bëhet pengesë e këtij procesi dhe të japë kontributin e saj në hapat e fundit që kanë mbetur drejt realizimit të këtij procesi. “Ne punojmë për gjithë shqiptarët. Do të ishte në nderin e lidershipit të Partisë Socialiste që të mos i kundërvihej këtij procesi, të vinte dhe të jepte kontributin e saj në mënyrë konkrete, ashtu sikurse është në ndihmën e mirë që të heqin dorë nga përpjekjet për të dëmtuar imazhin e vendit”, u shpreh Meta. Kryetari i LSI-së në fjalën e tij u ndal dhe në situatën politike, duke vlerësuar se pretendimet e opozitës duhet të trajtohen në mënyrë kushtetuese. Meta theksoi se maxhoranca është treguar tolerante, duke i dhënë mundësi opozitës për kërkesat e saj, por opozita nga ana tjetër duhet të njohë dhe institucionet dhe vendimet e gjykatave. d.xh