Zgjedhjet, pa komisione partiake
Erald Kapri
Ndonëse opozita kërkon transparencën e zgjedhjeve si kusht për të hyrë me kohë të plotë në Kuvend, maxhoranca nga ana tjetër po hedh propozime për ndryshime në Kodin Zgjedhor. Zgjedhjet lokale janë vetëm 1 vit larg, çka i bën të ngutshme ndryshimet në kod. Kryeministri Sali Berisha është shprehur i gatshëm të pranojë një Kod të ri Zgjedhor, sipas propozimeve të opozitës, por nga ana tjetër deputetët e maxhorancës kanë hedhur propozimet e tyre paraprake. Krahas mundësisë për votim elektronik, tashmë nga maxhoranca propozohen edhe komisione zgjedhore me teknikcienë, jo si është bërë deri më sot, me komisionerë të emëruar nga partitë, të cilët kanë shkaktuar në të shumtën e rasteve tepër probleme. Deputeti i maxhorancës, Fatos Beja, u shpreh se është e nevojshme një formulë të re për komisionet zgjedhore. Sipas tij, komisioni bipartizan i reformës elektorale mbetet peng i vullnetit politik të të dyja partive të mëdha dhe bllokohet sa herë që njëra prej tyre bojkoton. “Janë dukuri, të cilat trashëgohen nga njëra zgjedhje në zgjedhjen tjetër. Për shembull, përbërja e komisioneve duhet të jetë bipartizan, apo nuk duhet të jetë. Kjo është një çështje për t’u diskutuar, sepse ne kemi parë tashmë gjatë gjithë proceseve të zgjedhjeve të mëparshme që ekziston rreziku i ikjes së një pale nga komisioni, me qëllim dëmtimin e palës tjetër, sepse ikja bëhet në ato vende ku fiton tjetri. Këtë dukuri do e lëmë apo do e mbyllim”, tha Fatos Beja. Deputeti demokrat propozon konsultime edhe me partitë e vogla jashtë Parlamentit për gjetjen e një strukture të përshtatshme për komisionin, që do të ndryshojë ligjin e zgjedhjeve. Ai mendon se këtë rol mund ta luajë fare mirë dhe komisioni hetimor i kërkuar nga opozita, i cili nuk u vu asnjëherë në punë. “Në qoftë se duam seriozisht të merremi me këtë punë dhe nuk kemi në mendje gjëra të tjera, arritjen te pushteti me rrugët e presionit... të gjitha janë të hapura. Si të dëshirohet, është e mundur, ky komision, komision tjetër, me të ftuar të tjetër, të gjitha rrugët janë të mundshme”, tha më tej Beja. Një ditë më parë reagoi edhe deputeti tjetër i PD-së, Eduard Halimi, i cili u shpreh se është e domosdoshme edhe prania e opozitës për ndryshimet në kod. “E vetmja mënyrë për të përmirësuar kodin është një komision i përbashkët. PS-ja duhet të jetë më kërkuese, për të ngritur zërin në përmirësimin e Kodit Zgjedhor, sepse është palë humbëse. Ne duhet të bëjmë ato përmirësime, të cilat janë të domosdoshme për të përmirësuar kodin, për të pasur zgjedhje të standardeve evropiane”, u shpreh deputeti i PD-së, Eduart Halimi.