“Evropianët të majtë dhe të djathtë i thanë ‘po’ statusit, Edi Rama të votojë 3 ligjet”
Kryeparlamentarja Jozefina Topalli i bën apel opozitës të votojë tre ligjet e kërkuara nga Bashkimi Evropian
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli apeloi dje që opozita të ngrihet në lartësinë e detyrës dhe të marrë përgjegjësitë e integrimit të vendit. Topalli theksoi se votimi në Kuvend i 3 ligjeve të statusit, është një detyrim ligjor i Partisë Socialiste. Për të përforcuar një qëndrim të tillë, kryeparlamentarja solli në kujtesë pikërisht votimin e rezolutës në Parlamentin Evropian, për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat. “Dje komisioni i jashtëm i Parlamentit Evropian miratoi rekomandimin e Komisionit Evropian për dhënien e statusit të vendit kandidat dhe, me konsensus të gjerë i dhanë mbështetjen Shqipërisë në rrugën e saj të integrimit. Në emër të Kuvendit i shpreh falënderimet e sinqerta Komisionit dhe Parlamentit Evropian. Jam besim plotë se rezoluta e miratuar nga komisioni i jashtëm do të gjejë mbështetjen edhe nga Parlamentit Evropian. Por, ky akt vlerësimi nuk më largon dot nga shqetësimi i thellë që ndiej për pengesa që i vijnë procesit nga brenda Shqipërisë. Ato janë të pa justifikueshme, ato janë të padrejta, ato janë të dëmshme, ato duhet të ndërpriten menjëherë. Tre ligje presin të miratohen në Kuvend, tre ligje të cilat Komisioni Evropian, komisioni i jashtëm i Parlamentit Evropian, dhe sigurisht Parlamenti Evropian i identifikojnë si të rëndësishme në procesin tonë të reformave. Prandaj ata kërkojnë një zëri që ne t’i miratojmë ato. Pa kushte dhe pa vonesa! Duke votuar këto tre ligje, Parlamenti kryen detyrën”, u shpreh Topalli. Ajo deklaroi se të majtë e të djathtë evropianë, jo shqiptarë votuan për Shqipërinë, votuan për rekomandimin për statusin e vendit kandidat. Ndërsa Edi Rama, tha Topalli, me bllokimin e statusit, po u bën karshillëk shqiptarëve. “Ata nuk janë shqiptarë, por votuan për Shqipërinë. Edhe dje në Kuvendin e Shqipërisë ishin në axhendë si për disa muaj rresht, tre ligjet që kërkon Evropa. Por kolegët e mi socialistë nuk i votuan ato. Ata janë shqiptarë por nuk votuan për Shqipërinë. Refuzimi i zotit Rama për të votuar tre ligjet nuk është karshillëk ndaj qeverisë, as ndaj Komisionit Evropian, as ndaj Parlamentit Evropian. Refuzimi për të votuar tre ligjet është karshillëk ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Prandaj gjej rastin si Kryetare e Kuvendit të përsëris thirrjen time për zotin Rama, për votimin e këtyre tre ligjeve. Nuk ia kërkoj si dhuratë për 100 vjetorin e Pavarësisë, ia kërkoj si detyrë, detyrë ndaj shqiptarëve të cilët e mbajnë në politikë”, deklaroi kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.
...