E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mitrovicë, përurohet shtatorja e Isa Boletinit

24-11-2012 / Gazeta 55

Thaçi: Në 100 vjet, kombi shqiptar arritje historike. Basha: Isa Boletini, gjeneza e pavarësisë

Shtatorja e patriotit dhe atdhetarit të shquar Isa Boletini është inauguruar në Mitrovicë, në një ceremoni ku kanë marrë pjesë personalitete të politikës shqiptare. Ceremonia është hapur nga kryetari i komunës së Mitrovicës Avni Kastrati i cili ka shprehur rëndësinë e një evenimenti të tillë në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. I pranishëm ka qenë dhe kryetari i bashkisë së Tiranës Lulëzim Basha i cili në fjalën e tij ka përmendur faktin se Boletini luftëtar i lirisë që në moshën 17 vjeçare, së bashku me trimat e tij janë garda e parë shqiptare. Në fjalën e tij kryebashkiaku i Tiranës vlerësoi rolin e Isa Buletinit në mbrojtjen e pavarësisë shqiptare të asaj kohe. “Burrat si Boletini lindin rrallë janë gjeneza e pavarësisë”- u shpreh Basha.
Për kreun e BDI, Ali Ahmeti figura e Isa Boletinit, u bë frymëzim për të gjithë luftëtarët dhe që nuk reshti asnjëherë së luftuari për aspiratën kombëtare. Ai theksoi gjithashtu se nuk ka vend për të folur për ndarjen e Kosovës, pasi kjo është një çështje e mbyllur.
Pasi ka përshëndetur të pranishmit kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi u shpreh se 100 vjetori i pavarësisë e gjen Shqipërinë anëtare të NATO-s, dhe Kosovën të pavarur, dhe se sovraniteti i saj nuk do të cenohet. “Në këtë 100 vjetor, Shqipëria anëtare e NATO-s. Kosova ka hyrë në 5 vjetorin e pavarësisë së saj. Janë këto arritje historike për të cilat u flijuan brezat”- vuri në dukje Thaçi.
Gjithashtu i pranishëm ka qenë dhe stërnipi i Isa Boletinit, Gazmend Boletini, i cili në emër të familjes së tij dhe pasardhësve të atdhetarit të shquar ka falenderuar të pranishmit dhe ata që bënë të mundur vendosjen e shtatores në Mitrovicë. Aktiviteti është përmbyllur me një performancë të ansamblit të valleve Shota.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›