Evropianin e sigurojnë 5 vende, priten tjerat

Është ngritur në 5 numri i skuadrave të kualifikuara matematikisht për Kampionatin Evropian ‘Polonia e Ukraina 2012’. Pas mikpritësve, Ukraina dhe Polonia (e siguruan kualifikimin automatikisht si organizatorë), më parë një gjë të tillë e kishte bërë edhe Gjermania, e cila grumbulli 24 pikë në Grupin A të kualifikimeve, duke e lënë prapa Turqinë me 10 pikë.
Së fundmi, të martën mbrëma, këtyre dy skuadrave iu bashkuan edhe Italia e Holanda. Azzurrët e festuan kualifikimin pas fitores minimale 1:0 ndaj Sllovenisë, për të cilën u përkujdes Giampaolo Pazzini në minutat e fundit. Ekipi i Cesare Prandellit ka grumbulluar 22 pikë në Grupin C, 8 më shumë se Serbia, dy xhiro pa përfunduar kjo fazë eliminuese.
Ndërkaq, ‘Stuhia e Kuqe’ doli mirë nga ‘stërvitja’ me Lihtenshtajnin, ku fitoi 6:0 falë golave të Negredos (2), Villas (2), Xavit e Sergio Ramosit. Kampionët e botës dhe të Evropës kanë tubuar 18 pikë në Grupin I, 8 më shumë se Republika e Çekisë, e cila po e ndjek pozitën e dytë që çon në barazh.
Një hap përpara e bënë edhe Holanda e Anglia, edhe pse ende nuk e kanë siguruar matematikisht kualifikimin. Në Grupin E, ‘Tulipanët’ e mposhtën 2:0 Finlandën e Përparim Hetemajt, i cili u ndëshkua me karton të kuq, duke u ngritur në kuotën e 24 pikëve, 6 më shumë se përcjellësit kryesorë, Suedia e Hungaria.
Golat për holandezët i shënuan Strootman e De Jong. Ekipi portokalli do ta zyrtarizojë kualifikimin në ndeshjen e ardhshme. Wesley Sneijderit me shokë do t’u mjaftojë një barazim ndaj Moldavisë pas një muaji, për ta prerë biletën për Evropian.
Buzëqeshi edhe Anglia e Fabio Capellos, e cila fitoi 1:0 në Wembley kundër Uellsit (shënoi Young) dhe e paketoi kualifikimin. Wayne Rooney me kolegë do të kënaqeshin me një barazim më 7 tetor ndaj Malit të Zi, për të shkuar në Ukrainë dhe Poloni.
E njëjta gjë vlen edhe për Francën, e cila nuk arriti më shumë se një barazim pa gola, 0:0 ndaj Rumanisë. Tash, ekipi i Laurent Blanc kanë vetëm një pikë më shumë se Bosnje e Hercegovina.
Xhiron e ardhshme, ‘Transalpinët’ do ta presin Shqipërinë, kurse Bosnja do të përballet me Luksemburgun. Sipas të gjitha gjasave, do të jetë ballafaqimi direkt në program më 11 tetor në Stade de France ai që do ta vendosë nëse Franca do të shkojë direkt në Evropian apo një gjë të tillë duhet ta kërkojë përmes barazhit.
Në Grupin H gjithçka është e ekuilibruar. Danimarka fitoi 2:0 ndaj Norvegjisë (dygolësh i Bendtner) dhe e mori primatin në klasifikim me 13 pikë së bashku me norvegjezët dhe Portugalinë. Më 11 tetor, danezët do të luanë me portugezët. Kjo ndeshje mund të vendosë shumëçka. Në Grupin B, Irlanda barazoi me Rusinë (0:0) dhe mbeti ende në lojë për kualifikim.
Në Grupin F, Kroacia fitoi ndaj Izraelit dhe e mori primatin, duke e lënë prapa Greqinë, e cila barazoi me Letoninë, 1:1. Edhe në këtë grup gjërat mund të qartësohen në takimet e fundit. Më 7 tetor do të luajnë Greqia-Kroacia. Momentalisht, kroatët kanë një pikë më shumë (19 karshi 18 të grekëve).