E Shtunë, 31 Tetor 2026

F1, dopietë e Ferrarit, Alonso triumfon në Bahrein

BAHREIN- Fernando Alonso me Ferrarin ka triumfuar në çmimin e Madh të Bahreinit, gara e parë për Botërorin 2010. Skuderia kokëkuqe duket se e ka lënë pas sezonin e vjetshëm, duke triumfuar me të dyja makinat mbi shkretëtirën e Shakirit. Alonso, që debutonte me Ferrarin në këtë garë, ka përfituar nga një gabim teknik në Red Bullin e Sebastian Fetel, duke triumfuar përpara shokut të tij të skuadrës Felipe Masa. Një dopietë që e konfirmon kokëkuqen si favoriten kryesore për fitimin e Botërorit. Vendi i tretë i ka takuar Ljuis Hamilton me MekLaren, i cili ka lënë pas pikërisht Fetel. Piloti gjerman I Red Bull ishte një nga protagonistët kryesorë të garës, duke kryesuar për 34 xhiro, por një problem e ka detyruar të garojë 5 të qindtat më ngadalë se makina e tjera, duke humbur kështu 3 pozicione. Ndërkohë, vetëm vend i 6-të për Mikael Shumaker, që është kaluar edhe nga shoku i tij i skuadrës Niko Rozberg. Në ditën e rikthimit të tij në Formula 1, 7 herë kampioni i botës që tashmë garon me Mercedes Grand Pri, ka qenë autor i një gare përgjithësisht anonime. Kampioni i botës në fuqi Xhenson Baton e ka mbyllur garën i 7-ti, ndërkohë që në zonën e pikëve përfunduan edhe Mark Veber, Vitantonio Liuci dhe Rubens Barrikelo. Pas kësaj gare, Botërori i Formula 1 kryesohet nga Fernando Alonso me 25 pikë, i ndjekur nga Masa me 18 dhe Hamilton me 15.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›