Buxheti 2010, ja projektet e drejtësisë
Për sa i përket Ministrisë së Drejtësisë, fondet e propozuara në projektligjin për buxhetin e vitit 2010, janë në rritje të vazhdueshme dhe plotësojnë nevojat për një zhvillim normal të aktivitetit. Më konkretisht, në krahasim me vitin 2009, ka një rritje afërsisht 8% (7.469%) ose 475 milionë lekë.
Fondet për Shpenzimet e Personelit për vitin 2010 zënë rreth 55.5% të fondit të përgjithshëm të shpenzimeve për vitin 2010, kundrejt 50% të fondit total për vitin 2009. Këto fonde, për vitin 2010 në raport me vitin 2009, rezultojnë me një rritje prej 18.8% ose 601 milionë lekë. Rritjen më të madhe e ka Sistemi i Burgjeve, jo vetëm si pasojë e numrit të lartë të punonjësve, por dhe si rrjedhojë e zbatimit të ndryshimeve në ligjin “Për Policinë e Burgjeve”. Vetëm për Sistemin e Burgjeve kemi një rritje 17.6% ose 411 milion lekë. Gjithashtu, rritje të ndjeshme ka dhe Shërbimi për Regjistrimin e Pasurive të Paluajtshme me 36% ose 125 milion lekë.
Shpenzimet Operative paraqiten me një ulje në masën 5% ose 60 milionë lekë në raport me buxhetin fillestar të vitit 2009 dhe janë në të njëjtin nivel me buxhetin e rishikuar të vitit 2009. Duke pasur në konsideratë faktin e uljes së pritshme të shpenzimeve të transportit (pakësimi i numrit të autoveturave) dhe uljen e pritshme të numrit të të dënuarve si rezultat i aplikimit të dënimeve alternative (Shërbimi i Provës), ulja në këtë drejtim është më se e drejtë dhe buxheti i alokuar është më se i përballueshëm për aktivitetin normal të institucioneve të Ministrisë së Drejtësisë.
Fondet me destinacion për kompensimin monetar të ish-pronarëve, duke filluar nga viti 2006 kanë një rritje konstante prej 100 milionë lekësh për çdo vit. Për vitin 2010 në krahasim me buxhetin fillestar të vitit 2009 kemi një rritje prej 17%. Nga negocimet me Ministrinë e Financave është arritur në konkluzionin se ky fond do të rritet gjatë vitit 2010, sikundër u realizua edhe gjatë vitit 2009, ku ky fond u rrit me 1 miliard e 170 milionë lekë.
Investimet e brendshme nga buxheti rezultojnë me një rritje prej 12.4% ose 74 milion lekë. Gjatë vitit 2010 i është dhënë prioritet investimeve në fushën e Teknologjisë së Informacionit. Buxheti i përgjigjet më së miri projektit tonë të Shqipërisë dixhitale, projekt i cili po ‘lëshon shtat’ çdo ditë e më shumë. Për vitin 2010 këto investime arrijnë vlerën 173 milionë lekë ose 27% të totalit të investimeve të brendshme. Këto investimeve janë më të ndjeshme në sistemin e burgjeve me 96 milionë lekë. Kështu, në këtë kuadër dëshiroj të theksoj disa prej projekteve që i shërbejnë një funksionimi sa më të mirë të institucioneve të Ministrisë së Drejtësisë, si dhe do të ofrojnë shërbime efikase për palët e interesuara:
• Investimi në programin e Shërbimit të Përmbarimit Gjyqësor me vlerë 50 milionë lekë, për vitin 2010. Nëpërmjet këtij projekti synohet marrja e informacionit dhe ndjekja e problematikës në çdo kohë. Është projektuar që sistemi do të ketë të dhëna të vazhdueshme online që nga momenti i paraqitjes së kërkesës për ekzekutim të vendimit nga palët e interesuara deri në momentin e likuidimit online nga banka, duke evidentuar njëkohësisht problematikën e lindur gjatë procesit të ekzekutimit.
• Projekti i Informatizimit të Sistemit Penitenciar me vlerë 46 milionë lekë. Nëpërmjet këtij projekti synohet një informatizim i plotë i Sistemit Penitenciar në Shqipëri, duke siguruar marrjen dhe shkëmbimin e informacionit në një kohë të shkurtër dhe të plotë. Deri tani në Sistemin Penitenciar nuk ka funksionuar asnjë lloj projekti informatik.
• Arkivi Elektronik i Sistemit të Drejtësisë me vlerë 8 milionë lekë. Krahas arkivit fizik të sistemit të drejtësisë është e nevojshme edhe krijimi i arkivit elektronik ku të gjitha të dhënat do të ruhen në mënyrë paralele. Ky projekt synon skanimin dhe ruajtjen e të dhënave të të gjitha dosjeve që janë aktualisht pranë gjykatave. Projekti parashikohet të zgjasë 3 vite. Në vitin e parë do të përgatitet programi i nevojshëm, në vitin e dytë dhe të tretë do të operohet me skanimin dhe hedhjen e të dhënave.
• Përmirësimi i lidhjes online të sistemit gjyqësor me Ministrinë e Drejtësisë, me vlerë 13 milionë lekë. Për këtë projekt theksojmë faktin se me financim të BE-së u përgatit një sistem i lidhjes së ndërgjyqësorit me Ministrinë e Drejtësisë, i cili nuk rezultoi efiçent. Për këtë është menduar krijimi i një sistemi të ri i cili do të eliminojë të gjitha defektet e programit ekzistues, por duke shfrytëzuar bazën logjistike të sistemit të parë.
• Përmirësimi i rrjetit të shpërndarjes online të botimeve zyrtare me 2 milionë lekë.
• Projekt tjetër në këtë drejtim është dhe aplikacioni i kartave WEB, për kartelat e të dënuarve, personelit dhe aktivitetit financiar të sistemit të burgjeve me vlerë 10 milionë lekë. Ky projekt realizohet për herë të parë në Sistemin e Burgjeve dhe shërben për një shkëmbim informacioni të shpejtë dhe të saktë, midis vetë burgjeve dhe paraburgimeve, Drejtorisë së Përgjithshme dhe Burgjeve, duke synuar që në të ardhmen të lidhet në sistem dhe me Ministrinë e Drejtësisë.
• Projekti i sistemit të bllokuesve të valëve të telefonave celularë, investim i filluar në mesin e vitit 2009 dhe për vitin 2010 në këtë drejtim do të investohen 30 milionë lekë, duke siguruar plotësisht mosfunksionimin e aparateve celularë në sistemin e burgjeve dhe duke rritur ndjeshëm elementët e sigurisë.
• Projekti i sistemit të kamerizimit të burgut të Korçës. Burgu i Korçës është burg i ri i ndërtuar me financim të B-së. Me përfundimin e këtij investimi rriten ndjeshëm niveli i sigurisë në këtë burg dhe e kthen atë në nivelin plotësisht bashkëkohor të parametrave dhe standardeve më të përparuara evropiane.
Në investimet e huaja për vitin 2010, do të përmendja investimin në Sistemin e Burgjeve për ndërtimin e paraburgimit Elbasan me vlerë 4 milionë euro (investim grand i BE-së). Për këtë investim kanë përfunduar të gjitha procedurat ligjore dhe ndodhemi në fazën e miratimit të fituesit dhe fillimit të punimeve.
Gjithashtu, jemi në pritje për përfundimin e procedurave dhe ndërtimit të paraburgimit Berat me vlerë 6 milionë euro, për këto 2 objekte nga ana e BE-së janë siguruar dhe fondet e nevojshme. Për ndërtimin e burgparaburgimit Fier me vlerë të përgjithshme të projektuar prej 18.2 milionë euro deri tani është siguruar financimi i investimit në vlerën 5.2 milionë euro nga BE si dhe në negociata me Delegacionin e Komisionit Evropian dhe Ministrinë e Integrimit është miratuar financimi i pjesës së mbetur në Programin IPA 2010.
Investimi në Shërbimin e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, i filluar që në vitin 2008, ka filluar realizimin me ritme të shpejta dhe për vitin 2010 parashikohet një realizim në masën mbi 150 milionë lekë.
Në përfundim, gjykoj se ky buxhet përputhet tërësisht me interesat e zhvillimit të vendit, me interesat e zhvillimit të shoqërisë shqiptare, integrimit të saj në BE.
* Fjala e ministrit të Drejtësisë në Komisionin parlamentar të Ligjeve për buxhetin 2010