E Shtunë, 31 Tetor 2026

Osteoporoza, në rritje numri i të prekurve

Numri i të prekurve nga osteoporoza ose siç njihet ndryshe sëmundja e dobësimit të kockave, po vjen në rritje edhe në vendin tonë. Në botë, mesatarisht 1 në 3 gra vuan nga kjo sëmundje, ndërsa në vendin tonë mbi 23% e grave menjëherë pas menopauzës preken nga dobësimi i eshtrave. Në Ditën Botërorë për Parandalimin e Osteoporozës, shefja e Reumatologjisë në QSUT, Teuta Backa thotë se për të ndaluar këtë sëmundje duhet të konsumohen ushqime të pasura me kalcium dhe vitaminë D, por dhe të ushtrohet sa më shumë aktivitet fizik. “Në Shqipëri ka filluar të ketë vlera alarmante të osteoporozës. Osteoporoza është një sëmundje, e cila kryesisht shfaqet të moshat e mëdha në pleqëri dhe tek gratë në periudhën e menopauzës. Risku i jetës është 20 deri 25%, një vlerë shumë e lartë dhe kjo i dedikohet frakturës së qafës së femurit”, - thotë Teuta Backa. Osteoporoza konsiderohet si një sëmundje e heshtur, por mjaft e përhapur, që prek mbi 200 milionë persona në botë. Ndaj këshillohet që për çdo dhimbje në shtyllën kurrizore apo të qafës, të bëhet një grafi e thjeshtë. Më shpesh, të prekurit nga kjo sëmundje e mësojnë diagnozën e tyre, pasi u ka ndodhur ndonjë frakturë dhe dhimbjet janë të padurueshme.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›