FAO bëhet me shef të ri
Braziliani Hoze Graciano da Silva është zgjedhur të dielën në Romë për drejtor të ri të përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi (FAO) dhe është bërë përfaqësuesi i parë i Amerikës Latine në krye të kësaj agjencie, e cila lufton kundër urisë.
Da Silva fitoi në një garë të ngushtë, duke marrë 92 vota, derisa rivali i tij ish-shefi i diplomacisë spanjolle Miguel Anhel Moratinos fitoi 88 vota. Braziliani në postin e drejtorit të përgjithshëm të FAO-s do të pasojë senegalezin Zhak Diuf, i cili këtë funksion e ka kryer 17 vjet.
Grasiano ishte përgjegjës për ushqim në Qeverinë e presidentit Luis Inasi
Lula da Silva, në të cilën ka ndihmuar për zbatimin e nismës “pa uri”, e cila ka ulur dukshëm mungesën e ushqimit në Brazil. Kohët e fundit ishte zyrtar i FAO-s në Romë, ku edhe ndodhet selia e kësaj agjencie.
Shefi i ri i FAO-s do të ketë detyrë të vështirë për të zvogëluar mungesën e ushqimit në botë, për shkak të çmimeve të larta të ushqimit dhe drojës nga përsëritja e trazirave sociale si rezultat i mungesës së ushqimit nga vitet 2007 dhe 2008.
Vlerësohet se në botë janë rreth 925 milionë njerëz që vuajnë nga uria. Çdo gjashtë sekonda në botë vdes nga një fëmijë si pasojë e ushqimit të dobët dhe të pamjaftueshëm.