FBI arreston në Kanada shqiptarin e shumëkërkuar
Myfit Dika, ishte shpallur “most wanted” në SHBA. Ishte në krye të një organizate mafioze
Policia e Torontos, në Kanada, ka arrestuar shqiptarin Myfit Dika, i shpallur në kërkim nga FBI-ja për një seri veprash penale të lidhura me krimin e organizuar. Ai u arrestua të hënën pasdite dhe po mbahet në paraburgim në pritje të procedurave të ekstradimit. Sipas të dhënave, Dika ishte pjesë e një grupi të mirorganizuar kriminal që importonin në SHBA lëndë narkotike, armë zjarri dhe pastronin parave. Aktiviteti i grupit kriminal ishte shtrirë edhe në Kanada, ku edhe u ndalua. Policia dyshon se shqiptari ka hyrë në Toronto në muajin gusht të vitit 2009 bashkë me dy bashkëpunëtorë të tjerë. Ndërkohë, “ortaku” i Dikës, Gazmend Gjika, është arrestuar disa muaj më parë në Shqipëri dhe kanë filluar procedurat për ekstradimin e tij në shtetin e Nju Xhersit në SHBA, ku do t’i nënshtrohet procesit gjyqësor. Policia e Torontos dyshon se Kujtim Lika, personi i vetëm që ndodhet i lirë, mund të fshihet ende në Kanada. Rrjeti kriminal i shqiptarëve në SHBA është transmetuar edhe në emisionin investigativ të “Fox News” të titulluar “most wanted” (më të kërkuarit). Në emision agjentë të FBI folën në hollësi për dy shqiptarë përkatësisht të njohur si Kujtim Lika ose i njohur si Kujtim Tika ose Timmy dhe Myfit Dika i njohur edhe si Mike. Mafia italiano-shqiptare është një rrjet i goditur, pas dekadash përgjimesh dhe nga qëndrimet e vetë të penduarve, të cilët të ballafaquar me afate të gjata burgimi kanë pranuar që të bashkëpunojnë me autoritetet federale. Ndërkohë, ndërsa disa organizata shumë të fuqishme janë goditur, vendin e tyre të lënë bosh e kanë zënë gangsterë nga ish-Bashkimi Sovjetik, Azia, dhe imigrantë nga Shqipëria, si dhe nga popullsia shqiptare nga vendet e ish-Jugosllavisë. Ndërsa gangsterët italianë mund të jenë tri ose katër gjenerata të vendosura në Amerikë, shqiptarët janë rritur nën një regjim brutal komunist, të përfshirë në gjakmarrje me klanet rivale dhe të mësuar me kodin e heshtjes që e bën Omertën italiane të duket si një lojë përpara rregullave të tyre, thonë agjentët. “Gjenerata e parë e shqiptarëve ka për tendencë të jetë shumë e dhunshme krahasuar me mafien e lindur e rritur në Amerikë”, do të deklaronte një agjent i FBI-së, duke shtuar se në organizatat kriminale shqiptare shikohet një kontrast krejt tjetër. Ndryshe nga italianët, ku gjithçka zhvillohet brenda rregullave të familjes, ku kemi bosat, kapot dhe ushtarët, mafia shqiptare është shumë më pak e strukturuar dhe është shumë e vështirë të gjurmohet. Sipas tyre, në vitin 2005, FBI arritën një nga sukseset e tyre të mëdha, duke ndërmarrë operacionin “Shqiponja e Zezë”, që e ka marrë emrin nga shqiponja me dy koka e flamurit shqiptar. Gjatë një periudhe katërvjeçare, hetuesit provuan ekzistencën e një numri grupesh me lidhje jo të forta në Nju Jork, Nju Jersey, çikago dhe Filadelfia, si dhe në Kanada, Holandë, Shqipëri dhe në rajonet etnike shqiptare të Maqedonisë, Serbisë dhe Kosovës. Si drejtues të bandës ishin Myfit “Mike” Dika dhe ish-gjimnasti Kujtim “Timmy” Lika.
#