E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjukanoviç: Politika serbe, kundërproduktive

Intervista/Kryeministri malazez kundërshton qëndrimin e Beogradit për Kosovën
Kryeministri i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, mbas kthimit ditët e fundit nga SHBA, ku ai zhvilloi, sipas tij, një vizitë të suksesshme, i dha një intervistë gazetës së përditshme serbe, “Danas”, ku flet për vizitën dhe takimet që zhvilloi atje, marrëdhëniet dypalëshe mes Malit të Zi dhe Serbisë, proceset eurointegruese dhe përpjekjet që po bën Mali i Zi për t’u përfshirë në to, marrëdhëniet me vendet fqinjë dhe çështje rajonale, përfshi Kosovën. Më poshtë po sjellim pjesën e intervistës, ku ai u përgjigjet pyetjeve të gazetës së lartpërmendur serbe, për marrëdhëniet e vendit të tij me Serbinë, të cilat, sikurse dihet, dominohen aktualisht nga çështja e Kosovës.
Pas tërheqjes nga Beogradi të ambasadorit të tij nga Podgorica, për shkak të vendosjes nga kjo e fundit të marrëdhënieve diplomatike me Kosovën, kemi përsëri një “dalje tjetër nga shina” të marrëdhënieve që do të dëshiroheshin të ekzistonin mes Malit të Zi dhe Serbisë. Si e konsideroni ju një politikë të tillë të Serbisë, me të cilën SHBA dhe disa vende të tjera kryesore, hiq mënjanë mosmarrëveshjen për çështjen kyçe të Kosovës, po i avancojnë marrëdhëniet e tyre në të gjitha fushat e tjera, ndërsa nuk ndodh kështu kur është fjala për marrëdhëniet e saj me vendet fqinjë?
Mendoj se kjo politikë është kundërproduktive. Më vjen keq që në politikën e Serbisë vazhdon po ajo inerci e mëparshme kundrejt vendeve fqinjë. Në bisedimet që kam zhvilluar me qeveritarët e lartë të vendeve të rajonit tonë, askund nuk kam konstatuar ndonjë synim për të ndjekur ndonjë politikë në dëm të Serbisë. Përkundrazi, kudo ku kam shkuar dhe ku kam biseduar, nga Zagrebi deri në kryeqytetet e tjera, ekziston pëlqimi në parim se për të gjithë ne është shumë e rëndësishme që Serbia të zërë vendin e saj në trenin që nga Ballkani po shkon drejt integrimeve europiane dhe euroatlantike. Me fjalë të tjera, ka një ndërgjegjësim se të gjithë ne në rajon do të kemi përfitim nga përkushtimi i Serbisë drejt së ardhmes së saj europiane. Për këtë arsye, jemi të bindur se, pas qetësimit të pasioneve që shpërthyen gjatë luftërave të viteve ‘90, ne sot duhet të ulemi e të bisedojmë me kthjelltësi dhe të mendojmë sesi të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, me qëllim që të gjithë të kemi leverdi. Pas një kohe të gjatë, të gjithë ne kemi një vështrim të përbashkët konsensual drejt së ardhmes europiane, që është një risi kapitale në rajon. Dhe, duke qenë se kështu qëndrojnë punët, presim që Serbia të tregojë më shumë dhe jo më pak sensibilitet ndaj vendeve fqinjë dhe të tjerëve në rajon, sepse kjo nuk u shërben qëllimeve të përbashkëta në rajon dhe, duke pasur parasysh atë sesi perceptohet një politikë e tillë në adresat e rëndësishme ndërkombëtare, kjo nuk kontribuon as për imazhin e Serbisë në botë.
Në vlerësimet amerikane, Mali i Zi konsiderohet si një “lojtar i rëndësishëm” në terrenin e stabilitetit rajonal, por ndërkohë vihet në dukje edhe vazhdimësia e mosmarrëveshjeve dhe e problemeve në marrëdhëniet me Serbinë. Si e konsideroni këtë?
E di se ekzistojnë interpretime në media se Mali i Zi po ndërmerr disa hapa, përmes të cilëve synon “t’ia hedhë Serbisë” ose se ai (Mali i Zi) “nuk i respekton interesat dhe qëndrimet e Serbisë rreth çështjeve të caktuara”. As rastësisht nuk bëhet fjalë për këtë. Ne, me të vërtetë, jo vetëm e respektojmë Serbinë si një lojtar të rëndësishëm në rajon, për stabilitetin e të cilit ne jemi të interesuar, por madje e respektojmë shumë, gjë që përbën edhe historinë dhe traditën të marrëdhënieve ndërshtetërore dhe ndërnjerëzore jo vetëm mes Serbisë dhe Malit të Zi, por edhe mes qytetarëve dhe familjeve tona, që janë mjaft të gërshetuara. Por, siç duket, problem i qartë është ai se një pjesë e opinionit publik serb ende nuk është gati të pranojë se Mali i Zi është me të vërtetë i pavarur dhe ndjek një politikë të tij në përputhje me interesat e veta kombëtare, ashtu sikurse i vlerëson ai vetë ato. Kështu që edhe vendimet e vështira që kemi marrë, si vendimi për njohjen e Kosovës, kanë përfshirë edhe raportin mjaft delikat lidhur me qëndrimin negativ të pritshëm të Serbisë ndaj këtyre çështjeve. Por, megjithatë, mbizotëruan vlerësimet tona se kjo gjë duhej bërë, sepse përbënte një respektim të një realiteti politik, i cili nuk mund të ndryshohet. Dhe menduam se ishte e nevojshme të ishim miq dhe partnerë të ndershëm të Serbisë, madje edhe atëherë kur duhet t’i njoftonim asaj ndonjë realitet të pakëndshëm. Dhe kjo është më e ndershme dhe më e përgjegjshme sesa të mbështesnim me hipokrizi diçka që ne e konsiderojmë iluzion.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›