Ditë tjetër e zezë për bondet e Greqisë
Kriza
Kina refuzon të blejë borxhet e Athinës
Interesat e borxhit të Greqisë u rritën sërish dje, duke shënuar një rekord të ri historik që nga koha kur ky vend u anëtarësua në euro në prill 2001, pasi Ministria e Financave njoftoi se nuk kishte mundur të arrinte një marrëveshje me Kinën për të shitur borxh. Greqia po shpreson se Kina do të blejë rreth 25 miliardë euro bonde të këtij vendi, një lëvizje që tregon edhe rritjen e fuqisë financiare të Pekinit. Banka e investimeve “Goldman Sachs” pati reklamuar në Kinë bondet e Greqisë, por pa rezultat. Administrata Shtetërore e Shkëmbimeve me Jashtë, institucioni kinez që menaxhon rezervën valutore të këtij vendi, deklaroi se kishte sakaq në portofolin e vet një sasi të konsiderueshme të borxhit grek dhe nuk e shihte të logjikshme të shtonte borxhe të reja. Kina ka 2.4 trilionë dollarë rezervë valutore, e cila është rritur me 130 miliardë dollarë vetëm në tre muajt e fundit. Një zyrtar i lartë i “Goldman Sachs” ka udhëtuar dy herë në Athinë për të diskutuar me Kryeministrin Papandreu dhe zyrtarë të tjerë të lartë. Greqia përgënjeshtroi dje lajmet që raportonin bisedime për blerjen e një pakete strategjike aksionesh të Bankës Kombëtare të Greqisë nga ana e një banke kineze. Ministri i Financave, Jorgos Papakostantinou, deklaroi për “Financial Times” se do të vizitojë Kinën muajin e ardhshëm, megjithëse nuk ka një axhendë konkrete për shitje borxhesh. Në një tender për të shitur 5 miliardë euro bonde këtë javë, Greqia tërhoqi oferta me vlerë të përgjithshme prej 20 miliardë eurosh, por pavarësisht kësaj, presioni i tregjeve financiare mbi të është i konsiderueshëm. Bondet dhjetëvjeçare të Greqisë u rritën në 6.42 për qind dje, pra me një rritje prej 18 pikësh bazë brenda ditës. Që nga dhjetori i kaluar, kur problemet e Greqisë u bënë të ditura, borxhi i saj është shtrenjtuar me 1.5 për qind.
#