E Shtunë, 31 Tetor 2026

Makina shtyp dy fëmijë te dera e shtëpisë

Një aksident i rëndë në rrugicën e lagjes numër 2 në Kukës ka rrezikuar jetën e dy vajzave, Nertila Mehmeti, 16 vjeçe dhe Fiama Tafasi, 1 vjeçe e gjysmë. Ngjarja ka ndodhur në orën 15:00, kur të dy vajzat kanë dalë në hyrje të shkallës për të ecur në rrugicën e lagjes. Nertila, siç ka treguar vetë ajo në urgjencën e spitalit, e ka pasur Fiamën e vogël në krahë kur një autoveturë të drejtuar nga N.Muçmata, një adoleshent, i ka vënë poshtë gomave, duke i kapërcyer dhe tërhequr zvarrë. Pas ngjarjes, shoferi adoleshent ka ikur nga vendngjarja, por është kapur nga policia vetëm pas një ore e gjysmë. Nertila dhe Fiama janë kushërira të para. Ato ndodhen në spitalin e Kukësit, ku mjekët thonë se janë jashtë rrezikut për jetën, por në gjendje të rëndë. Nertila, siç tha mjeku roje, ka pësuar thyerje të kockave të legenit dhe këmbëve dhe duhet dërguar me urgjencë në Tiranë, ose të paktën në Prizren, pasi në spitalin e Kukësit nuk ka një mjek specialist ortoped. Ky nuk është rasti parë i aksidentit në derë të shtëpisë. Dy vjet më parë një autoveturë shtypi një fëmijë 5 vjeç në lagjen numër 1 të qytetit, ndërsa një tjetër fëmijë 4 vjeç u shtyp nga një makinë në shëtitoren kryesore të qytetit. Edhe sot e kësaj dite përbën një shqetësim për komunitetin shpejtësia me të cilën udhëtojnë nëpër rrugicat e qytetit adoleshentët duke drejtuar automjetet e prindërve, që shumicën e rasteve janë zyrtarë të pushtetshëm apo biznesmenë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›