E Diel, 1 Nëntor 2026

Përfundojnë poshtë urës, plagosen katër veta

Katër persona janë plagosur në një aksident rrugor kur mjeti me të cilin po udhëtonin ka rënë nga një urë. Aksidenti ka ndodhur në orën 19:40 të së enjtes në rrugën nacionale Korçë-Kolonjë. Mjeti tip "Renault" me targa KHZ7437 ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar poshtë një ure. Policia ka bërë të ditur se aksidenti ka ndodhur tek Ura e Psarit. Për shkak të rrugës së keqe dhe errësirës, mjeti që ka qenë duke lëvizur me shpejtësi për të dalë në rrugën nacionale nga rruga dytësore ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga në afërsi të urës. Katër persona që kanë qenë në këtë mjet kanë mbetur të plagosur. Policia tha se të dëmtuarit kanë marrë plagë të lehta dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Por nga ana e saj, policia lokale ka arrestuar drejtuesin e mjetit, 22 vjeçarin Melsi Backa, nga fshati Sul i Devollit. Ai ka pasur në mjet të afërmit e tij dhe ndërsa ktheheshin nga një festë familjare kanë përfunduar të plagosur. Sipas policisë, mjeti ka qenë me shpejtësi të madhe, ndaj drejtuesi nuk ka qenë në gjendje ta kontrollojë lëvizjen. 22-vjeçari është arrestuar për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, ndërkohë që të plagosurit janë transportuar drejt spitalit për ndihmë mjekësore. Burimet policore kanë thënë se dy nga të aksidentuarit kanë pësuar fraktura, por pas marrjes së ndihmës mjekësore në spitalin e Korçës ata nuk kanë rrezik për jetën.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›