E denoncoi disa herë burrin për dhunë, por ai e ekzekuton
Krim i rëndë brenda familjes në qytetin e Krujës, burri vret gruan me pushkë. Ndonëse ka qenë në dijeni të dhunës që ushtrohej në familjen Ristani, policia nuk ka mundur ta parandalojë krimin e rëndë që ditën e djeshme i mori jetën Trëndafiles 51-vjeçare. Ngjarja ndodhi në lagjen numër 4 të qytetit të Krujës ku bashkëshortët jetonin prej kohësh. Muharremi 57-vjeçar ka vrarë me pushkë të shoqen dhe shkak i krimit është vlerësuar xhelozia e sëmurë që ai ushqente ndaj saj. Ka qenë sherri i fundit mes bashkëshortëve Ristani që është mbyllur me vrasjen e Trëndafiles. Krimi ka ndodhur rreth orës 15:30 të ditës së djeshme në banesën e çiftit dhe menjëherë pas tij policia ndaloi autorin, si dhe bllokoi armën e krimit në cilësinë e provës materiale. Vrasja është kryer me një pushkë dhjetëshe të cilën Muharremi e mbante pa leje. Burime nga policia lokale bënë të ditur për gazetën "Shqip" se jo rrallëherë dhuna e ushtruar ndaj viktimës ishte denoncuar në polici prej saj. Motivet e xhelozisë kanë qenë deklaruar gjithnjë si shkaktare të konfliktit bashkëshortor që u mbyll në mënyrën më të dhimbshme, duke regjistruar një tjetër akt të rëndë kriminal në familjen shqiptare. Krimi këtë herë nuk ka ndodhur ashtu thjesht pas dyerve të mbyllura. Dhuna ishte e deklaruar, e njohur dhe mund të ndërhyhej nga strukturat shtetërore dhe aktorët e shoqërisë civile për t‘u parandaluar, por nuk ndodhi. Gruaja-viktimë kishte kallëzuar disa herë në polici dhunën që ushtrohej mbi të. Denoncimet mbylleshin me një tërheqje vëmendjeje dhe nuk kalonte shumë kohë që situatat të përsëriteshin dhe qetësia e rreme të shprishej dhunshëm në familjen Ristani. Dhuna në familje vetëm në raste të rralla përcaktohet si krim dhe denoncimet e grave të dhunuara shpesh mbeten të pandjekura deri në fund, ndërsa dhunuesi dhe në rastet kur procedohet penalisht lihet në gjendje të lirë. Fenomeni është një problem kompleks social me një shtrirje të gjerë. Nuk janë të pakta rastet kur gratë viktimizohen nga bashkëshortët e tyre. Situatën e përforcon gjendja ekonomiko-financiare e familjes dhe gruas brenda saj, mentaliteti dhe tradita, ndërkohë që gjithnjë e më shumë vitet e fundit, të ndjerë të rrezikuar nga liria e grave, burrat kanë rritur intensitetin e dhunës ndaj tyre. Vrasja brenda familjes konsiderohet nga ekspertët si një krim i shumëfishtë, pasi pasojat e saj janë katastrofike. Armela Bejko, psikologe pranë Qendrës Sociale të Grave në Qarkun e Durrësit thotë për "Shqip" se gratë që arrijnë t‘i mbijetojnë dhunës së ushtruar nga bashkëshortët, në pjesën më të madhe të tyre vuajnë nga probleme të rënda psikologjike, shëndetësore dhe fizike, efektet e të cilave prekin çdo fushë të jetës, duke çuar deri në izolim, sjellje antisociale, vështirësi ekonomike dhe transmetim të modelit të dhunshëm te fëmijët. Në rastet kur krimi i rëndë ndodh, pasojat janë dhe më të mëdha dhe me një ndikim të shumëfishtë te pjesëtarët e mbetur në jetë të familjes, veçanërisht për fëmijët e çiftit të cilët duhet të përballen mbi të gjitha me një baba mëmëvrasës.