FBI refuzon prokurorinë për ekspertizën 3D të 21 janarit
FBI-ja amerikane ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë së Tiranës për kryerjen e eksperimentit tre dimensional të vendit të ngjarjes, ku gjetën vdekjen katër demonstrues dhe u plagosen gjashtë të tjerë, nga armët luftarake të efektivëve të Gardës së Republikës, pasditen e 21 Janarit 2011. Ky fakt konfirmohet nga burimet zyrtare pranë institucionit të akuzës, sipas të cilëve, për shkak të kohës së pamjaftueshme FBI-ja nuk do të përfundoi eksperimentin.
Me anë të letër-porosisë i kemi kërkuar ndihmë FBI-së për kryerjen e eksperimentit në vendngjarje, për rindërtimin e ngjarjes me anë të teknologjisë 3D pasi janë kryer edhe matjet dhe fiksimet e të dyshuarve për vrasje, me viktimat e tyre që ndodheshin në bulevardin Dëshmorët e Kombit. Për shkak se në fund të muajit maj përfundojnë afatet hetimore për këtë dosje, FBI-ja ka kthyer përgjigje me anë të letër-porosisë duke u shprehur se për efekt kohe nuk mund të realizohet ky eksperiment edhe pse në vendin e ngjarjes janë skicuar vendet ku janë plagosur dhe vrarë demonstruesit e 21 Janarit,- thanë burimet e prokurorisë. Gjithashtu, të ndodhur në këto kushte edhe hetuesit e kësaj dosje, tashmë kanë hequr dorë nga kryerja e këtij eksperimenti teknologjik, duke u mjaftuar me raportin përfundimtar të kryer nga ekspert kriminalist të Ministrisë së Brendshme, që tashmë ka përfunduar.
Bazuar në këtë raport, që tashmë është administruar në dosje, efektivët e Gardës së Republikës të dyshuarit për vrasjet dhe plagosjet e demonstruesve do të përfundojnë në gjyq me cilësinë e të pandehurve. Përveç këtij raporti të ekspertëve shqiptarë, prokuroria ka siguruar edhe dëshmi të vetë dëshmitarëve të plagosur, pamje filmike të medieve të ndryshme, foto që saktësojnë edhe pozicionet e të vrarëve dhe plagosurve të kësaj ngjarje, duke nxjerr një konkluzion nga mund të kenë ardhur plumbat.
Sipas hetimeve të deri tanishme prokuroria ka arritur të provoi se nga plumbat e dal nga arma personale e ish-Komandantit të Gardës së Republikës të dyshuarit Ndrea Prendi ka gjetur vdekjen demonstruesi Faik Myrtaj. Ndërsa, nga arma që kishte në përdorim Agim Llupo ka gjetur vdekjen demonstruesi Ziver Veizi, por, që dyshohet se Llupo mund të jetë edhe autori i vrasjes së Aleks Nikës pasi predhat e gjetur në kokën e tij, ka ngjashmëri me predhën e gjetur në trupin e gjirokastritit Veizi. Nga ana tjetër, ekspert të FBI-së me kërkesë të prokurorisë, kanë zbardhur raportin e ekspertimit balistik e krahasues të predhave që janë gjetur në trupat e viktimave dhe objekteve për rreth bulevardit Dëshmorët e Kombit me armët që të dyshuarit kishin në përdorim. Gjithashtu, FBI-ja ka kryer edhe ekspertimin e zbardhjes dhe pastrimit të videove dhe fotove të bëra gjatë demonstratës, por që nuk është identifikuar ndonjë detaj me vlerë për hetimin ndaj gardistëve të dyshuar.
Vijnë nga SHBA armët dhe plumbat e gardistëve
Me anë të letër-porosisë FBI-ja amerikane ka sjell tashmë në Shqipëri predhat dhe gëzhojat e dërguara për ekzaminim krahasues e balistik me armët e të dyshuarve. Mësohet se me anë të një zarfi të madh, të izoluar sipas normës së marrjes dhe administrimit të provave shkencore, të gjitha predhat e dërguara në SHBA, tashmë janë administruar dhe ndodhen me cilësinë e provës pranë Prokurorisë së Tiranës. Ndërkohë, në ditët në vazhdim, mësohet se pritet ardhja e dy pistoletave që janë ekzaminuar tashmë, ajo e Ndrea Prendit dhe shoferit të tij personal Margarit Kume. Bazuar në këtë ekspertim, rezultoi se nga arma e Prendit kishte gjetë vdekjen fieraku Myrtaj ditën e 21 janarit. Armë të cilës i është ndërruar tyta dhe dëmtuar gjiplëra në mënyrë mekanike nga i dushuari Kume.
