FC Prishtina nuk dorëzohet
Megjithatë, bardhekaltrit nuk janë dorëzuar nga misioni që e kanë nisur. Madje ata nuk e përjashtojnë edhe opsionin që të shpërngulen në Shqipëri për t’u regjistruar si klub i ri në FSHF dhe t’i nisin garat nga rangjet më të ulëta.
“Nuk e përjashtojmë as këtë opsion e asnjë opsion tjetër. Ne nuk jemi dorëzuar. Do ta kërkojmë mënyrën e rregullt juridike që nëpërmjet Shqipërisë ta përfaqësojmë futbollin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, sepse ky izolim nuk po thyhet. Do të mblidhet kryesia e klubit dhe do ta gjejë opsionin më të mirë. Çdo opsion është i hapur”, ka deklaruar për Express nënkryetari i FC Prishtinës, Afrim Muçiqi.
Por, rreth kësaj deklarate të Muçiqit menjëherë ka reaguar FFK-ja nëpërmjet sekretarit të saj, Eroll Salihu. “Prishtina, si një klub që sivjet e feston 90 vjetorin, duhet të ketë shumë kujdes se kush po flet në emër të saj, sepse Prishtinës po i përkeqësohet imazhi. Prishtina duhet të ketë shumë kujdes”, tha shkurt Salihu.