E Shtunë, 31 Tetor 2026

Boll ma!

Ramiz Krasniqit i ka humbur durimi. Ai nuk e ka ndërmend që t’i lejojë më tutje krerët e FC Prishtinës, që kur t’u teket, t’ia ndërrojnë pozitën. Krasniqi thotë se nuk do të pranojë të punojë në Shkollën e Futbollit, të cilën ofertë ia kanë bërë udhëheqësit e klubit, pasi e shkarkuan nga posti i drejtorit sportiv.

Ramiz Krasniqi nuk e ka ndërmend ta durojë më ‘lojën’ që po e bëjnë me të krerët e FC Prishtinës.

Në fakt, Krasniqi ishte kryetrajner i bardhekaltërve deri në fund të sezonit vjeshtor. Por, me të përfunduar pjesa e parë e kampionatit, kryesia e Prishtinës në krye të shtabit teknik e vendosi trajnerin gjerman Wolfgang Jerat, derisa Krasniqin e emëroi drejtor sportiv.

Mirëpo, ai nuk qëndroi gjatë në këtë post. Menjëherë pas dy muajsh, bardhekaltrit të mërkurën e shkarkuan Krasniqin edhe nga kjo detyrë pa ia treguar arsyet. Andaj, ai është zhgënjyer shumë me këtë veprim të udhëheqësve të Prishtinës.

Sidoqoftë, nënkryetari i FC Prishtinës, Afrim Muçiqi ka pohuar se Krasniqi tash e tutje do të punojë si koordinator në Shkollën e Futbollit të Prishtinës. Mirëpo, Krasniqi duket se është lodhur duke iu ndërruar pozitat, andaj nuk e ka ndërmend ta pranojë këtë ofertë të kryeqytetasve.

“Sigurisht se nuk do të pranoj. Por, paraprakisht do të takohem me kryetarin e klubit, Remzi Ejupi, nga i cili do t’i kërkoj arsyet pse u shkarkova nga posti i drejtorit sportiv. Unë ende nuk i di ato arsye”, deklaroi Krasniqi për Express.

“E vërteta është se unë jam shkarkuar. Në letër thuhet vetëm se jam shkarkuar, pa u dhënë arsyet. Bordi më ka emëruar drejtor sportiv dhe bordi ka të drejtë të më shkarkojë, por duhet t’i tregojë arsyet. Unë mora një letër, e cila nuk i përmbante arsyet, të nënshkruar nga drejtori i përgjithshëm. Unë nuk kam punë me drejtorin e përgjithshëm, por me bordin”, theksoi Krasniqi i cili insiston se u shkarkua pa kurrfarë arsyeje nga detyra, pasi këmbëngul se të gjitha punët i kishte kryer me përgjegjësi të plotë edhe kur ishte trajner, por edhe gjatë aventurës së tij si drejtor sportiv.

Krasniqi nuk kishte kontratë me Prishtinën si drejtor sportiv. Por, ai e posedon një kontratë si trajner i kësaj skuadre, që i mban të lidhur deri në tetor të këtij viti. Andaj, ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që të kërkojë dëmshpërblim nga kryeqytetasit.

“Fillimisht do të bisedoj me kryetarin e klubit, pastaj të shohim”, shtoi Krasniqi i cili për punën e tij që e kishte bërë si trajner i Prishtinës, nga Federata e Futbollit e Kosovës është shpërblyer me epitetin e trajnerit më të mirë për vitin 2011.

Spekulohet se Wolfgang Jerat kishte kërkuar nga krerët e klubit që t’ia hapin dyert Ramiz Krasniqit, i cili ishte bërë pengesë në punën e trajnerit gjerman. Kjo, pasi Krasniqi ka ndikim dhe respekt të madh te lojtarët, me të cilët sezonin vjeshtor e përmbylli si lider i Superligës.

Por, kjo është mohuar nga udhëheqësit e Prishtinës, të cilët thonë se janë përkushtuar në punën me gjeneratat e reja, andaj Krasniqi do të mund të jepte kontribut të madh në funksionimin sa më të mirë të Shkollës së Futbollit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›