E Shtunë, 31 Tetor 2026

FC Rosengard, rezidencë e shqiptarëve

Futbollistë shqiptarë kanë qenë të pranishëm gjithmonë në klubet evropiane. Mirëpo, rasti i FC Rosengard është i veçantë. Aty luajnë 12 futbollistë shqiptarë, plus trajneri është bashkëkombës i tyre. Bardhyl Kaçiu, i fundit që iu bashkua ‘rezidencës’ shqiptare, ndihet si në shtëpi në ekipin nga liga e katërt suedeze. Ai beson se me ekipin nga i cili doli ylli Zlatan Ibrahimoviç do të ketë sezon të suksesshëm.

Futbollistët shqiptarë janë të pranishëm pothuajse në të gjitha ligat evropiane të futbollit. Por, rasti i FC Rosengard nga Suedia është i veçantë. Në fakt, ekipi nga liga e katërt suedeze, nga ku dolën emra të njohur të futbollit evropian si Zlatan Ibrahimoviç dhe futbollisti kosovar Labinot Harbuzi, është i ‘mbipopulluar’ me futbollistë shqiptarë. Janë plot 12, që i mbrojnë ngjyrat e këtij ekipi, plus trajneri, që e kompleton trembëdhjetëshen shqiptare në këtë ekip.

Dy të fundit, mesfushori i njohur kosovar Bardhyl Kaçiu dhe portieri Nehar Maliqi, iu bashkuan dhjetë futbollistëve tjerë që ishin pjesë e këtij ekipi edhe më parë. Ata janë mbrojtësit Valon Muslijaj dhe Damir Bislimi, pastaj mesfushorët Ylli Shabani, Gazmend Xhemajli, Granit Sherifi e Leutrim Sadiku, si dhe sulmuesit Albion Bicaku, Fatos Sylejmani dhe Sokol Halili.

Jo vetëm kaq. Ky ekip drejtohet edhe nga një trajner shqiptar. Bëhet fjalë për trajnerin Agim Sopi, i cili për ndihmës të tij ka Ylli Shabanin, që po ashtu është edhe lojtar.

Kaçiu, ish futbollist i Prishtinës, i Trepçës dhe i Drenicës, ka zbarkuar i fundit në këtë ‘tokë shqiptare’. Ai ndihet i kënaqur që në FC Rosengard paraqitet një numër aq i madh i futbollistëve shqiptarë, fakt ky që ia lehtësoi ambientimin.

“Në ekipin ku kam ardhur gjenden 12 futbollistë shqiptarë, plus trajneri. Jam ambientuar shumë mirë, gjithçka është në rregull. Në këtë ekip kam ardhur me këshillën e selektorit Albert Bunjaku. Vendosa ta pranoj ofertën e Rosengard sepse është shumë e vështirë ta gjesh një klub, prandaj vendosa t’i bashkohem këtij ekipi për ta dëshmuar veten dhe të ngrihem më lart si futbollist”, deklaroi ai.

Kaçiu thotë se e la futbollin kosovar sepse nuk pa ‘dritë’, ngase nuk po ecën aspak përpara. Ai iu bashkua bashkëshortes në Suedi, ndërsa me FC Rosengard ka nënshkruar për tre muaj deri më 14 tetor.

“Shumë vite më herët thoshin se do të bëhet mirë në futbollin kosovar, por ajo e mirë nuk erdhi kurrë. Në Kosovë ka talente, por e kanë vështirë të depërtojnë. Mendoj se kjo ishte koha e duhur për ta lënë futbollin e Kosovës. Ekipi Rosengard është me traditë, pasi këtu ka luajtur Ibrahimovic. Këtu jemi si një familje”, vazhdoi ai.

Kaçiu, i cili është pjesë e përbërjes së parë, tregon se synim i këtij ekipi është që të garojë për tri vendet e para dhe pse jo, të rikthehet në ligën e tretë suedeze. Ndërsa, sa u përket objektivave personale, ai synon të ambientohet në futbollin suedez dhe është i bindur që do të ngrihet lart, nëse nuk e përshkon ndonjë lëndim.

Ai i ka këshilluar futbollistët në Kosovë që të punojnë sa më shumë dhe të mundohen të depërtojnë jashtë kufijve të Kosovës, sepse futbollin në Evropë e konsideron shumë më ndryshe dhe më përpara në krahasim me atë kosovar. Natyrisht, edhe shumë më vështirë për të luajtur.

FC Rosengard është formuar në vitin 1917 me emrin Malmö Boll & Idrottsförening, shkurt MBI. Atij i është ndërruar emri dy herë. Njëri prej momenteve më të mëdha në histori të klubit ishte kur kishte marrë pjesë në play-off të Allsvenskan, elita e futbollit suedez, në vitin 1938, ku kishte humbur nga Degerfors.

Në vitin 1973 klubi lëvizi nga rezidenca aktuale, në periferi të Rosengardit. Më 2001 klubi u lidh me Turk Anadolu FF, për ta ndërruar emrin në Malmo Anadolu BI, shkurt MABI. Kurse, më 2008 e riktheu emrin në FC Rosengard.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›