Besa e kërkon fitoren e parë

Raiffeisen Superliga e Kosovës vazhdon me xhiron e tretë, e cila fillon të premten me ndeshjen Besa – Hysi, që luhet në stadiumin ‘Shahin Haxhiislami’ në Pejë. Skuadra pejane e ka nisur mjaft dobët sezonin e ri duke pësuar dy humbje në po aq përballje nga dy skuadrat mitrovicase Trepça dhe Trepça ‘89. Prandaj, ekipi bardh e kuq do ta kërkojë fitoren e parë të sezonit.
“Para vetes kemi një ndeshje mjaft të rëndësishme, por jam i bindur se djelmoshat tanë do ta japin maksimumin në ndeshje ndaj Hysit dhe ne do t’i marrim tri pikë të plota. Hysi ka skuadër të mirë më futbollistë të rinj, por tri pikët mbesin në Pejë”, theksoi trajneri Miftar Rama.
Në anën tjetër, as skuadra llapjane nuk e ka gjetur ende fitoren. Ekipi nga Merdara e ka regjistruar një barazim ndaj Trepçës ’89 dhe një humbje nga Drita, prandaj edhe bardh e zinjtë do të mundohen ta shijojnë fitoren e parë të sezonit të ri.
“Ne jemi të përgatitur për lojë dhe, sikur ne, ashtu edhe Besa, kemi marrë pak pikë në dy ndeshjet e para. Ata kanë një skuadër me traditë dhe shumë shpejt do t’u kthehen rezultateve pozitive. Prandaj, ne duhet të luajmë me shumë kujdes ndaj tyre dhe nëse arrijmë ta marrim një pikë ndaj një skuadre siç është Besa, do të ishte sukses i madh”, vazhdoi Hysni Maxhuni
Të shtunën, ndërkaq, janë në program dy takime. Kryendeshja e xhiros do të luhet në Prizren, në stadiumin ‘Përparim Thaçi, ku Liria e pret Prishtinën. Kurse, Drenica e pret Kosovën e Vushtrrisë.
Të dielën, ndërkaq, në Gjakovë, Vëllaznimi e pret Trepçën e riaftësuar pas fitores bindëse ndaj Besës. Vëllaznimi me vetëm një pikë të fituar, shpreson të paraqitet bindshëm dhe të nxjerrë rezultat pozitiv në një takim të vështirë me “Xehetarët”, që dinë të befasojnë. Xhiroja e tretë mbyllet të hënën me ndeshjen Drita – Ferronikeli.