E Diel, 1 Nëntor 2026

Islami: “Zgjedhjet në rrezik, 700 mijë votues po humbin të drejtën e votimit”



Partia Socialiste ka dhënë alarmin për ecurinë problematike të procesit të shpërndarjes së kartave të identitetit dhe njëkohësisht për rrezikun që u kanoset zgjedhjeve të 28 qershorit. Deputeti socialist Kastriot Islami ka publikuar shifra alarmante të procesit të shpërndarjes së kartave të identitetit. Sipas tij, ndërsa kanë mbetur 110 ditë nga zhvillimi i zgjedhjeve, rreth 700 mijë zgjedhës, të cilët nuk kanë në zotërim pasaporta, ende nuk kanë mundur të aplikojnë për t’u pajisur me karta identiteti. “Të dhënat janë alarmante në të gjitha aspektet duke u afruar në kufijtë e rrezikimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme”, - tha Islami. Sipas deputetit socialist, procesi i shpërndarjes së kartave të identitetit ka nisur në 118 nga 331 njësi të gjendjes civile. Islami tha se në njësitë ku ka nisur aplikimi 543 163 zgjedhës ende nuk kanë aplikuar, ndërkohë që 300159 votues presin të aplikojnë në njësitë e gjendjes civile, të cilat nuk e kanë nisur këtë proces. “Nga llogaritjet bazuar në të dhënat zyrtare e operative rezulton se numri i votuesve pa pasaportë që ende nuk kanë aplikuar është mbi 700 mijë. Kjo shifër po vazhdon të rritet për shkak të rritjes çdo ditë të numrit të votuesve pa pasaportë që nuk janë të përfshirë në listën zyrtare të Ministrisë së Brendshme dhe që strukturat po evidentojnë dita-ditës. Mbeten deri në 26 qershor edhe 77 ditë pune ndërkohë që ritmi për çdo njësi aplikimi është 30-40 aplikime në ditë”, - tha Islami. Ai renditi gjithashtu një sërë shqetësimesh të Partisë Socialiste në lidhje me ecurinë e procesit, ndër të cilat janë ritmet e ulëta të hapjes së zyrave të aplikimit, ngadalësia dhe vonesat në aplikim për shkak të mungesës së herëpashershme të energjisë elektrike, të ndërprerjeve të lidhjes me internet, të mostrajnimit në kohë të operatorëve në disa njësi dhe mosrespektimit të orarit veçanërisht në disa prej bashkive jokryesore.

11 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›