FDH akuzon gjeneralin Dikoviç për krime lufte në Kosovë

Grupi Fondi për të Drejtën Humanitare, me seli në Beograd ka deklaruar se shefi i ri i shtatmadhërisë së ushtrisë serbe, Lubisha Dikoviç, ka kryer krime lufte kundër civilëve në Kosovë, gjatë luftës 1998-99.
Ky fond, nëpërmjet një kumtese, theksoi se gjenerali Lubisha Dikoviç, duhet të zëvendësohet.
Sipas FDH-së, krime “të rënda dhe masive” janë kryer në pjesën qendrore të Kosovës, ku Dikoviç vepronte si komandant brigade.
Më tej në kumtesë theksohet se ishte detyrë e tij parandalimi i mizorive, por ka dështuar ta bëjë këtë.
Ministri i Mbrojtjes të Serbisë, Dushan Shutanovac, i ka hedhur poshtë këto akuza si “monstruoze” dhe të pavërteta.