E Diel, 1 Nëntor 2026

FESTA E HITHRAVE

Ngjan të jenë pjesë e trashëgimisë pagane festimet që mbahen edhe sot e gjithë ditën në disa zona të thella të Shqipërisë, kryesisht të besimit katolik, dhe që përmblidhen nën emërtesën "Festa e hithrave". Kjo ndodh të nesërmen e Ditës së Gënjeshtrave, pra më 2 prill: djemtë dhe vajzat këpusin hithrat që atëbotë janë të reja dhe godasin miqësisht njëri-tjetrin nëpër pulpa dhe kofshë, derisa këto të fundit skuqen dhe marrin ngjyrën e gjakut. Mesazhi i lojës është i thjeshtë, ashtu si shumica e mesazheve të këtyre lloj lodrave: harroni marrëzinë e mashtrimeve të një dite më parë dhe ejani me këmbë në tokë. Ndonjë etnolog është përpjekur të shkojë edhe më thellë në analizën e tij, duke pretenduar se ky është një mesazh kryesisht për të rinjtë që po hyjnë në jetë dhe synon t‘u kujtojë atyre se mosha e rinisë po mbaron dhe se me pjekurinë fillojnë edhe hallet, të cilat jo rrallë kanë djegësinë e hithrave.

Kjo m‘u kujtua dje paradite, ndërsa ndiqja përmes ekraneve ngjarjen tragjike ku humbi jetën Aleksandër Keka, kryetari lokal i Partisë Demokristiane për Malësinë e Madhe. Më ishte kujtuar ditë të shkuara në rastin e vrasjes ende të pazbuluar të deputetit Xhindi. Më ishte kujtuar disa ditë më parë kur ndodhi vrasja në Qerret të Durrësit.

Menjëherë pas ngjarjes u shpalosën edhe deklaratat e para. PDK akuzoi direkt Jozefina Topallin, ndërsa Policia e Shtetit na tregoi se i ndjeri paskësh pasur precedentë kriminalë, se qenkësh trafikant i shumëllojshëm, thua se e zbuloi këtë pikërisht dje dhe priste që ta thoshte vetëm pas vdekjes.

Nejse, duke shpresuar në uljen e toneve dhe që policia dhe prokuroria të bëjnë punën e tyre në mënyrë të paanshme dhe konform ligjit në ndjekje të "pistave" që do t‘u ofrojë ngjarja tragjike, lehtësisht disa konkluzione mund të tërhiqen qysh tani.

1.

Fushata elektorale e kësaj radhe duket se ka më shumë "festë" nga pararendëset. Më shumë flamuj. Liderët janë përherë të rrethuar nga të rinj e të reja. Pankartat të hyjnë në retinë të syrit nga njëra anë e Shqipërisë në tjetrën. Megafona më të fuqishëm shkatërrojnë dhe mbushin me dyllin e banaliteteve politike veshët e njerëzve, të cilët jo domosdoshmërish e dinë se ç‘presin nga zgjedhjet, përpos një të hëne bosh dhe pa ngjyra në ditën pasuese. Grupet e këngëtarëve thonë se paguhen ku e ku më mirë nga fushatat pararendëse, prandaj hidhen e përdridhen ashtu nëpër skenat lëvizëse. Partitë kanë shkuar deri aty, saqë edhe kanë bërë himnet përkatëse, pavarësisht se nuk kanë ende programe dhe pavarësisht se kanë hyrë thjesht dhe vetëm në një garë premtimesh që janë qesharake. Së paku, deri para disa ditësh, liderët ngjanin si alienë që bënin thirrje për etikë dhe paqe. Por vetëm deri para disa ditëve, sepse tash tonet janë ngritur dhe kanë filluar akuzat. "Qelbsina! Spiuna. Çohu! Rrugeçër! Trafikanta! Do t‘ua bëjmë më keq se baballarëve! Nuk ta mban të shkosh në Tropojë! Kërkoju ndjesë tropojanëve për bijtë që u ke vrarë! Racë kriminelësh"... Në këtë ngritje tonesh nuk duket edhe aq e largët ajo kohë kur përmendeshin plumbat dhe politikanët pendoheshin që në rrëmujën e vitit 1997 nuk paskëshin vrarë njëri-tjetrin(!?).

Edhe nga sa thamë, nuk është e vështirë të kuptohet se në të vërtetë fushata po zhvillohet në dy rrafshe, të cilat kohë më kohë përzihen vetëm në fjalimet e "udhëheqësve": njëri rrafsh është ai që "liderët" na servirin në mënyrë të kontrolluar rreptësisht dhe personalisht përmes ekraneve dhe i dyti është ai që zhvillohet larg syve të opinionit. Pikërisht te ky rrafshi i dytë i kanë mbështetur shpresat e fitores së pushtetit të dy krahët. Më së miri këtë e dëshmon përfshirja nëpër listat e kandidatëve për deputetë e shumë "të fortëve" dhe "biznesmenëve" me "reputacion" nëpër zona. Në këtë rrafshin e dytë gjërat zhvillohen ndryshe nga sa raportojnë mediat. Ka kërcënime të hapura të bëra sy më sy. Kërcënime që fillojnë me heqjen nga puna dhe përfundojnë me heqjen e kokës. Ka tufa parash të pista që lëvizin nga njëra dorë në tjetrën, nga njëri fshat në tjetrin, nga njëri fis "i madh" në një tjetër fis "të madh". Ka punë selektive të organeve të forta të shtetit që fillojnë nga heqja e patentës në rrugë, në akuza të paqena e deri te mbyllja e një aktiviteti biznesi. Ka edhe ca lidhje të dyshimta që zakonisht funksionojnë në terr dhe që nuk janë pa lidhje me grupet kriminale të drogës, të krimit ekonomik apo të trafiqeve gjithfarësh. Dhe pikërisht ky rrafshi i dytë është në të vërtetë përcaktuesi në rezultatin e zgjedhjeve.

2.

Zërat që flasin tek-tuk për mungesë transparence shuhen lehtësisht në heshtjen e gjerë të atyre që janë përgjegjës për të bërë transparencën. Askush nuk e di nga burojnë paret e shumta të fushatave. Paret me të cilat paguhen aktivistët, vullnetarët, autobusët e shumtë, kameramanët, këngëtarët, strukturat e partive, komisionerët që njëherësh janë edhe mjeshtra në "përpunimin" e fletëvotimeve, të kutive, të listave dhe të rezultateve përfundimtare…

Edhe më e vështirë bëhet rrokja e këtij realiteti në kushtet kur mediat nuk janë të lejuara të marrin pjesë në aktivitetet partiake të të dy krahëve. Ekranet ushqehen me "videoklipe" që i prodhojnë vetë partitë. Garda e Republikës është shndërruar në gardë të Sali Berishës, ndërsa policia bashkiake e Tiranës në polici e mitingjeve të Edi Ramës. Gazetaria investigative është venitur ende pa u çelur.

Dhe publiku përjeton vetëm njërin rrafsh të fushatës, atë që i serviret: festën. Jo të hithrave. Të 1 prillit.

3.

Në të vërtetë, lufta për pushtet, qysh se pushteti është krijuar si i tillë, pra si një instrument fuqie në duart e një pale për të shfrytëzuar e shtypur palën tjetër, nuk është larg përmbajtjes së vetë fjalës "luftë". Vrasjet prapa shpine apo ballazi. Helmi në vesh. Pabesitë. Pusitë në natën e thellë. Kanistra me gjarpërinj helmues "harruar" prapa derës. Tretja e rivalit në hapsanë të thellë apo në ekzil të mundimshëm. Fantazmat e vrasjeve. Madje edhe ushtritë. Mirëpo, hiq ndonjë përjashtim aksidental, ata që merren me analizën e zhvillimeve njerëzore dhe politike, theksojnë se shkalla aktuale e demokracisë dhe e civilizimit gjithnjë e më shumë e ka civilizuar edhe të ashtuquajturën "luftë politike" dhe e kanë shndërruar në një garë, kryesisht programore. Mbaron gara, fituesit i urohet fitorja dhe ai futet në zyrë e merr detyrën e vështirë të qeverisjes, domethënë administrimin e interesave publike. Më tej ata shpjegojnë se kjo vjen ngaqë në këto lloj shtetesh, pushteti nuk është mekanizëm për të shtypur e shfrytëzuar të tjerët, nuk është instrument përfitimesh të paligjshme vetanake, nuk është përjashtim për kundërshtarin, por gjithëpërfshirje dhe bashkim kontributesh. Nga këtej edhe pushteti është decentralizuar dhe vendimmarrja nuk është asnjëherë dhe vetëm në duart e njërës palë.

Po te ne përse vazhdon kjo egërsi? Përse në nëntëmbëdhjetë vjet demokraci njohim vetëm një herë një rrotacion paqësor, atë të korrikut 2005, kur Nano i dorëzoi institucionalisht pushtetin kundërshtarit të tij historik, Berishës? A është ky një proces që varet thjesht dhe vetëm nga karakteri, vullneti dhe formimi i liderit, apo është çështje e funksionimit të institucioneve të demokracisë?

Për askënd nuk është e vështirë ta kuptojë se në këta katër vjet qeverisjeje, institucionet e shtetit të së drejtës janë dobësuar ndjeshëm dhe janë zëvendësuar thjesht dhe vetëm me të ashtuquajturin vullnet të liderit. Përjashtimi është bërë normë dhe bashkimi i kontributeve është bërë përjashtim. Filtrat institucionalë janë shkatërruar. Për fat të keq, dukuri të tilla janë frekuente tashmë në të dyja partitë e mëdha dhe nuk paralajmërojnë asgjë të mirë për të ardhmen e afërt.

E, në këtë gjendje, nëse në nivele të larta lufta për pushtet është në të vërtetë luftë për përfitime të larta, në bazë kjo "luftë" përthyhet si luftë për mbijetesë, thënë ndryshe për një vend pune, domethënë për një rrogë që garanton bukën e gojës. E kush tha që lufta mes dy lypësve për kafshatën e ditës është më e butë se sa lufta mes dy mbretërve për të mposhtur njëri-tjetrin?

Nga këtej nuk është e vështirë të kuptohet se vetëm duke ndërtuar një shtet funksional të së drejtës, me administratë të qëndrueshme e profesionale, një shtet ku të gjithë janë kontribuentë dhe përfitues, me institucione eficentë dhe me pushtete të ndara që realizojnë procesin e kontrollit reciprok dhe të balancimit (check and balance), që realizojnë transparencën dhe llogaridhënien publike për aktivitetin qeverisës, dukuri si këto do të konsiderohen - sikundër duhet të jetë - të papranueshme.

E, deri atëherë, do të vazhdojë festa djegëse e hithrave.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›