E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festat e Berluskonit, zgjerohen hetimet

Hetimet mbi festat e shumëpërfolura të Kryeministrit italian, po marrin përmasa problematike, megjithëse Silvio Berluskoni e konsideron gjithçka sajesë të kundërshtarëve politikë. Janë të paktën tri vajza që kanë konfirmuar se janë paguar për të marrë pjesë në festat e organizuara në pallatin "Gracioli" dhe në vilën "Çertoza". Dy prej të rejave u morën në pyetje nga Prokuroria e Barit, ndërsa njëra nga ajo e Romës. Të tria kanë rrëfyer festat deri në detaje, aq sa njëra prej tyre ka kërkuar leje për t‘u larguar nga Italia "për pak kohë", duke nënvizuar se "druhem për sigurinë time".

Nga një magjistrat italian u dëgjua për plot pesë orë me radhë edhe deklarata e Patricia D‘Adarios, kandidate për zgjedhjet komunale në listën e grupimit "Pulja para gjithçkaje". Politikania e re tregoi për dy mbrëmjet që kishte kaluar në shoqërinë e Berluskonit në rezidencën që ky i fundit ka në kryeqytetin italian. Nga sa shkruhet në të përditshmen e vendit fqinj "Corriere Della Sera", mësohet gjithashtu se D‘Adario ka depozituar pranë organeve hetimore regjistrimet audiofonike të takimeve dhe një video të realizuar nga ajo vetë me telefonin celular. "E bëra këtë (dorëzimin e regjistrimeve) në mënyrë që askush të mos mund të thotë se nuk gjendesha aty".

Sipërmarrësi dhe shoqërueset me pagesë

Njeriu që kujdesej për vajzat ishte Xhampaolo Tarantini, një sipërmarrës 35-vjeçar nga provinca e Pulias, i cili bashkë me të vëllain, Kluadion, 40-vjeçar, zotërojnë kompaninë "Tecnohospital", që operon në fushën e teknologjive spitalore. Është kjo arsyeja për të cilën 35-vjeçari, i cili u mor javës së shkuar në pyetje në praninë e avokatit të tij, gjendet sot në listën e të akuzuarve për shtyrje drejt prostituimit.

Ndërkaq, krerët e lartë të Prokurorisë së Barit konfirmojnë se "ka nisur një hetim për këtë krim të kryer në vende ekskluzive të Romës e Sardenjës". Dyshimet fillestare lindën prej disa regjistrimeve telefonike gjatë të cilave Tarantini fliste me vajzat për udhëtimet e pagesat.

Sipërmarrësi 35-vjeçar i ka kryer ato telefonata pa e ditur se gjendej nën hetime për bashkëpunim kriminal për qëllime korruptive. Sipas hipotezave të ngritura nga "Guardia di Finanza", nga arkat e kompanisë së tij kishin dalë shuma të konsiderueshme në formën e ryshfeteve për të përfituar lehtësira dhe kontrata favorizuese. Një prej linjave të hetimit përfshiu para tre muajsh edhe një nëpunës bashkiak rajonal, i cili u dorëhoq nga detyra. Mësohet se Tarantini merrej vesh nëpër telefona me vajzat e ftuara në festa, por edhe me njerëz të shpurës së Kryeministrit italian.

Pakti me Patrician

Qe pikërisht 35-vjeçari Xhampaolo Tarantini, ai që kishte bindur Patricia D‘Adarion të pranonte të merrte pjesë në festat e Berluskonit. E kishte njohur përmes një miku të përbashkët që quhet Maks dhe i qe prezantuar si Xhampi. Përpara prokurorëve, Patricia D‘Adario konfirmoi se "për mbrëmjen e parë, sipas marrëveshjes, duhej të paguhesha 2 mijë euro, por mora vetëm 1 mijë, pasi nuk pranova të qëndroja deri në fund". "Natën e dytë - ishte mbrëmja e zgjedhjes së Barak Obamës - qëndrova dhe u largova nga pallati "Gracioli" mëngjesin e së nesërmes. Kur mbërrita në hotel, shoqja ime, që kishte marrë pjesë bashkë me mua në festë, më pyeti nëse e kisha marrë zarfin, por iu përgjigja se nuk kisha marrë asgjë. Objektivi im ishte marrja e një shume parash për vazhdimin e një projekti në pasuritë e paluajtshme dhe Berluskoni më kishte siguruar se do ta ma jepte. Xhampaolo më tha që nëse Kryeministri kishte dhënë fjalën do ta mbante".

Rrëfimi i Patricia D‘Adarios mbi mënyrën si zhvilloheshin këto festa përkon me sa kanë deponuar verbalisht edhe tri vajzat e tjera të marra në pyetje nga Prokuroria italiane. Të gjitha specifikuan se "u kontaktuam nga Xhampaolo, i cili më pyeste nëse qemë të gatshëm të pranonim të merrnim pjesë. Ndonjëherë, kjo ndodhte vetëm pak orë përpara festës dhe biletat e avionëve qenë gjithnjë të paguara".

Tani hetimet e prokurorisë kanë në qendër zhvendosjet e mëpasshme të vajzave. Sipas dëshmive, zbulohet se me të mbërritur në Romë, vajzat duhet të shkonin me taksi në hotele të prenotuara paraprakisht, ku duhet të prisnin mbërritjen e shoferit të Xhampaolos, i cili i shoqëronte më pas në pallatin "Gracioli". Patricia D‘Adario u ka rrëfyer prokurorëve: "Pak përpara mbërritjes na thoshin të ngrinim xhamat e makinave që qenë gjithnjë të errëta. Me t‘u vendosur nëpër dhomat e hotelit na tregonin si duhet të visheshim: veshje elegante e truk të lehtë".

Regjistrimet

Kandidatja për zgjedhjet komunale ka depozituar në sekretarinë e prokurorisë italiane pesë ose gjashtë kaseta audio dhe një video ku shfaqet përpara një pasqyre e më pas tregon një dhomë gjumi. Në pamjet filmike duket edhe një fotografi e Veronika Liarios, bashkëshortes së Berluskonit, e cila prej ditësh ka nisur procedurat e divorcit. Magjistraturës së Romës tashmë i duhet të provojë vërtetësinë e këtyre materialeve, duke qartësuar nëse zëri i regjistruar nëpër kaseta është vërtet ai i Berluskonit dhe nëse ambientet e brendshme i përkasin pallatit "Gracioli".

Vendimi për të thirrur vajzat në prokurori u mor pas dëgjimit të përgjimeve telefonike të kryera ndaj sipërmarrësit 35-vjeçar, Tarantini. Pas verbalizmit të rrëfimeve të tyre është marrë vendimi për thirrjen e vajzave të tjera në prokurori gjatë javëve në vazhdim. Në listën e prokurorëve tashmë janë shtuar emra të rinj: të tjera vajza që janë kontaktuar nga sipërmarrësi Tarantini, si dhe njerëz të ndryshëm që kanë luajtur rol në këtë histori. Në listë përfshihen edhe bashkëpunëtorët e vetë Tarantinit, por edhe politikanët që kanë vendosur përfshirjen e emrit të Patricia D‘Adarios në listën e zgjedhjeve komunale. Vetë vajza tregon se nuk iu kërkua në asnjë rast të merrte pjesë në ndonjë festë të zhvilluar në vilën "Çertoza", në Sardenjë, "Por Xhamipero më tha se kishte mundësi të shkonim për pushime jashtë shtetit, me shumë gjasa në Bermuda".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›