E Diel, 1 Nëntor 2026

Para se të fillojë festa: alkool dhe zhytje në pishinë

Dy bionde me bikini të ngushta, me gjoksin e bërë me silikon dhe syze dielli origjinale improvizojnë një duet seksi mbi një krevat në anën e një pishine në "Tao Beach", të hotelit "Venetian". Ato quhen Shelly Alexander dhe Lauren Kleban. Mbrëmjeve, vajzat punojnë si balerina në klubin e natës "Moon", ndërsa ditën, për ato ka gjithmonë një vend falas në festat e "Tao Beach", një nga pishinat-klub, që kanë dalë shumë në modë kohët e fundit në Las Vegas. Nëpër reklama i cilësojnë si klube evropiane, por në fakt, janë pishina ku ndalohen të hyjnë të rinjtë nën moshën 21 vjeç, e ku organizohen shumë festa. Për këto pishina kanë shkruar edhe shumë gazeta dhe revista prestigjioze, madje njëra prej tyre i ka kushtuar një artikull mjaft interesant të rinjve të plazhit "Orange County", lagjja tradicionalisht e pasur republikane e Kalifornisë, të cilët shkojnë aty për t‘i dhënë lamtumirën beqarisë. Ashtu si djemtë ka edhe grupe vajzash, që të premteve marrin avionin nga Nju Jorku për të mbërritur në këtë vend të mrekullueshëm. Anita Ross, 27 vjeçe, me çantë "Gucci" dhe syze "Channel" është një e rregullt e revistës hollivudiane me thashetheme "Tn touch". Ajo ka vendosur që bashkë me shoqet e saj, Noelle dhe Vanesa, të marrë avionin "JetBlue" të orës 18:40 nga aeroporti "Jfk", për të shkuar në Las Vegas. Në orën 21:35 duhet të mbërrijnë në destinacionin e duhur. "Do të shkoni për të luajtur", i pyesin disa djem. "Jo, do të shkojmë për festat në pishinë".

Nuk bëhet fjalë për pishinat klasike të hoteleve. Aty nuk mund të notosh, të marrësh rreze dielli dhe të çlodhesh. Këto lloj pishinash janë një ndërthurje mes klubeve të natës dhe bareve të zakonshme të ditës. Orari është nga 10 e mëngjesit deri në 10 të darkës. Edhe pse temperaturat i kalojnë 40 gradë Celsius, kujdesi për klientët nuk mungon. Atyre u jepen copa akulli për t‘i vendosur në kokë, madje ka edhe një personel të punësuar posaçërisht për të hedhur ujë të ftohtë mbi të ftuarit që zbaviten në pishina. Këtu atmosfera është vërtet e ekzagjeruar. Të rinjtë pinë njëra pas tjetrës shishet me "Dom Perignon"
që kushtojnë 4200 dollarë një, ose konjak "Remy Martin Louis XIII" 6075 dollarë, duke vallëzuar në ujë, të ngjitur njëri me tjetrin, nën ritmin e muzikës rok dhe hip hop të zgjedhur me kujdes nga dixhejt më të famshëm në botë.

Në pjesën më të madhe të rasteve në këto pishina nuk të lënë të hysh. Arsyet janë të shumta. Në pishinë nuk mund të futesh nëse nuk je shumë e bukur, nëse nuk ngjan si Paris Hilton, nëse nuk je striptiste në ndonjë klub nate, nëse nuk je VIP si Puff Diddy apo Kevin Federline, nëse nuk harxhon 2-5 mijë dollarë në ditë, ose nëse nuk ke një shtëpi me televizor plazma, bar, me pije të shtrenjta. Në Las Vegas, klientët humbasin rrobat e trupit, jo vetëm në tavolinat ku luhet poker, por edhe në festat e hoteleve. Në pjesën më të madhe të rasteve, klientët largohen nga festat pa rroba, madje disa prej tyre humbasin edhe reçipetat e kostumeve të banjës, sigurisht të firmave të njohura si "Louis Vuitton", "Burberry" apo "Pucci", sepse të dëfrehesh topless është krejtësisht normale. Një vajzë 24-vjeçare, vjen pothuajse çdo të premte nga Kolorado me të fejuarin e saj për të bërë kërcime të ekzagjeruara në "Moorea Beach". Gjoksi i saj i bukur, sigurisht me ndihmën e silikonit, i shpërqendron lojtarët e pokerit. Në fakt, vetëm një xham i hollë e ndan kazinonë nga vajzat e lagura dhe gjysmë të zhveshura që dëfrejnë në pishinë. Një zotëri që punon në hotelin "Moorea Beach", thotë se festat në pishinë i shpërqendrojnë të ftuarit, më pas të gjithë janë gati për të luajtur në kazino.

Gjatë viteve të fundit, klubet kanë ndryshuar mendimin që brezat e rinj kanë për Las Vegasin. Ata shkojnë aty për klubet, ndërsa loja është dytësore. Jason Strauss, 34 vjeç, është një nga pronarët e "Tao Beach". Disa vite më parë kishte ndërtuar lokale në plazhet njujorkeze të Hamptons. Ai u bë i famshëm, sepse mes të ftuarve ishin motrat miliardere Hilton, Britni Spirs, si dhe vajza e ish-presidentit Bill Klinton, Çelsi. Për të përuruar pishinën, por njëkohësisht edhe barin e Las Vegasit, Jason mori nga Londra aktoren, Helen Mirren, edhe pse ajo nuk është frekuentuesja tipike e "Tao Beach". "Ideja e këtij klubi më erdhi pas udhëtimeve në "Sant Trope".

Mes klientëve ka njerëz me trupin e mbushur komplet me tatuazhe si në Miami Ink, reality show më i ndjekur i kanalit televiziv TLC, që tregon aventurat e një dyqani tatuazhesh në Majami. Mes njerëzve të punësuar janë edhe "regjisorët e humorit", të cilët kujdesen për të "ngrohur" atmosferën dhe për të bërë njohjen e grupeve të djemve me ato të vajzave. Monedhat 100 dollarëshe nuk mungojnë për asnjë çast. Si në klubet e natës, edhe në festat e pishinave nuk mungojnë personazhet e famshme, të cilat ftohen dhe paguhen për të qëndruar jo më shumë se 40 minuta, për të thënë 10 fjalë dhe për ta bërë pishinën të famshme përkohësisht.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›