Të pathënat për Marko Boçarin
Nën një këndvështrim historik, përshkruar edhe nga një trill artistik, shkrimtari Arben Kondi e sjell Marko Boçarin në faqet e një romani. Titullohet "Vrasja e dytë e Marko Boçarit" dhe do të promovohet sot, ora 19:00, te selia e Partisë për Drejtësi dhe Integrim. Boçari vjen si një figurë historike, popullore, me të thënat dhe të pathënat deri më sot. "Marko Boçari është një figurë shumë e madhe, që për fat të keq është lënë në harresë nga historia dhe letërsia shqiptare. Më së shumti ai gjendet në këngët popullore. Ky libër synon të hedhë dritë mbi figurën e tij të pavlerësuar e të theksojë fort se Boçari nuk është hero grek, ashtu siç propagandohet në literaturën greke, por shqiptar. Është simbol i lirisë, sepse si kryekomandant i forcave të Ali Pashë Tepelenës, nuk luftoi vetëm për suliotët, as për shqiptarët, por edhe për grekët e italianët", thekson Kondi, autor i 16 librave të tjerë. Prej vitesh autori jeton në Australi, ku ka hapur edhe gazetën e parë shqiptare atje. Ngjarjet e romanit janë vendosur në vitin 1854, kur shteti grek sulmon për herë të parë Çamërinë dhe shfaqet programi për pushtim. Është një evokim i heronjve shqiptarë të Revolucionit grek të vitit 1821, pjesë e së cilit ishte edhe Boçari. "Në faqet e këtij libri sillen edhe fakte të reja rreth kësaj figure. Boçari ishte i pari që synoi dhe mendoi për një bashkim kombëtar. Ai i propozoi Ali Pashë Tepelenës një bashkim me Balshajt e Shkodrës për lirinë e të gjithë shqiptarëve", thekson Kondi.