FFK i kërkon shpjegime FIFA-s
Krerët e Federatës së Futbollit të Kosovës ua kanë përcjellë zhgënjimin e tyre krerëve të FIFA-s nëpërmjet një letre, të nisur të enjten. Ky zhgënjim u bë pas refuzimit që i bëri Komiteti i FIFA-s kërkesës së FFK-së për anëtarësim në këtë asociacion, më 24 tetor dhe për moslejimin e zhvillimit të miqësoreve në nivel të përfaqësueseve. "Duam të shprehim zhgënjimin tonë pas vendimit të Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s, lidhur me aplikimin e Federatës së Futbollit të Kosovës për anëtarësim në FIFA. Ne presim një shpjegim më serioz me rastin e shqyrtimit të aplikimit tonë për anëtarësim. Ju lutem na shpjegoni se si Republika e Kosovës, sipas standardeve tuaja, nuk qenka e pranuar si shtet i pavarur dhe sovran nga komuniteti ndërkombëtar, duke ditur se Kosovën e kanë njohur 51 shtete dhe njohjet po vazhdojnë", thuhet ndër të tjera, në letrën drejtuar presidentit të FIFA-s, Sep Blater dhe sekretarit të përgjithshëm, Zherom Valke.