Funerali i pafundmë i diktaturës shqiptare në rumanisht
Për intelektualin, nuk është e vështirë të hedhë në letër vitet e tmerrit. Mjaft të gërmojë pakëz në kujtesën ende të brishtë, për të rizgjuar eksperienca të trishta, të dhimbshme. Doli këto ditë në qarkullim në Bukuresht, romani i shkrimtarit Visar Zhiti, "Funerali i pafundmë". Romani i botuar nga Shtëpia Botuese "Leda", është përkthyer në rumanisht nga Luan Topçiu, redaktorë të librit janë Antonia Cacso, referent shkrimtari Liviu Lungu, kopertina është realizuar nga Andrea Apostol. Kopertina e librit shoqërohet me thënie të Robert Elsie, Elio Miracco dhe Kevin Higgins për veprën e Visar Zhitit. Një nga referentët e librit, shkrimtari rumun Aurel Maria Baros do të shprehej për romanin e Zhitit se botimi i tij në rumanisht përbën një ngjarje të vërtetë kulturore. Shkrimtari rumun do të shprehej: "Është një epope e vërtetë e kalvarit të një shoqërie, që i është nënshtruar "një marshi funebër" diktatorial, drejt një ideali të sëmurë. Në thelb, një histori e rëndë, por plotësisht reale, një histori e marshimit të verbër, një histori e përbërë prej ngjarjesh domethënëse, tragjike dhe tragji-komike, një metaforë e jashtëzakonshme e "turmës" së tërhequr në mënyrë obsesive në një rrugë që nuk gjen fundin. Marshi sfilitës, në të cilin njerëzit janë të shtyrë nga forcat shtypëse (këto mbeten sinonime), është e shoqëruar me ngjarje që ilustrojnë absurditetin e gjendjes, herë në linja karikaturale, herë me shije humori, herë quasi-tragjike dhe madje lirike". Në romanin e Zhitit, diktatura shfaqet lakuriq, me gjithë pamjen e vet tragjikomike, sa të frikshme, aq edhe groteske. Në ndihmë i vijnë ngjarje të jetuara, por edhe syri i hollë i vëzhguesit.