FFK-ja e pakënaqur në komisionet e saj

Një rast i tillë ka ndodhur të enjten. Kjo për shkak se Komisioni Disiplinor i FFK-së fillimisht e kishte suspenduar futbollistin e Trepçës ’89, Ibrahim Peci, për shkak se ky i fundit në duel me Dritën i kishte ndërhyrë pa kontroll Përparim Osmanit, i cili si pasojë e theu këmbën.
Shkaku i këtij suspendimi, Peci nuk mundi t’i ndihmojë Trepçës ’89 në ndeshjen e mesjavës për Kupë. Por, të enjten Komisioni Disiplinor e ka shqiptuar dënimin përfundimtar ndaj tij.
Edhe pse ai vendim deri në pasditen e së premtes nuk është publikuar, Express mëson se Peci është ndëshkuar me vetëm 250 euro. Kështu, ai do të mund të luajë të dielën në derbin lokal që ekipi i tij do ta luajë ndaj Trepçës. E ky vendim ka ngjallur zhurmë deri në Komitetit Ekzekutiv të FFK-së.
“Çdo njeri mund t’i lexojë rregulloret e FFK-së. Sipas rregulloreve, Peci minimumi është dashur të ndëshkohet me dy ndeshje mos-lojë, e maksimum me 12 ndeshje. Saktësisht, në rastin e Pecit me Osmanin, futbollisti mitrovicas është dashur të dënohet me gjashtë ndeshje”, thotë një burim.
“Kurse ai është dënuar me vetëm 250 euro. Kështu Komisioni Disiplinor nuk e përfilli urdhrin e Komitetit Ekzekutiv për t’i ashpërsuar dënimet, por iu nënshtrua presionit nga jashtë. E në fund mediat e opinioni me të drejtë fajin për jo profesionalizëm po ia hedhin Komitetit Ekzekutiv, e jo komisioneve”, përfundoi ky zyrtar i lartë i FFK-së.