E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritet interesimi për kinemanë

Pejanët duket ta kenë rritur interesimin për kinemanë, respektivisht për filmat që kanë filluar të shfaqen në kinemanë e qytetit "Jusuf Gërvalla". Për drejtuesit e saj tashmë nuk janë të rralla raste kur salla është e mbushur me publik.

Drejtoresha e kësaj kinemaje, Fransika Maloku, ka thënë se gjatë shfaqjes së filmit të parë “Mission Imposible”, vetëm në terminin e orës 20:00 kanë arritur të mbushen të gjitha ulëset e kinemasë.

"Në shfaqjen e filmit të parë kemi arritur të grumbullojmë një numër të madh të adhuruesve të filmit, ku në terminin e orës 20:00 kanë ardhur deri në 200 shikues, çka ne jemi të kënaqur me këtë numër të shikuesve dhe shpresojmë që do të përmbushim kërkesat e shikuesve të filmit gjë kjo që u ka munguar për një kohë të gjatë", tha Maloku.

Tani në kinemanë e qytetit të Pejës ka nisur të shfaqet filmi "This Means War", i cili, sipas drejtoreshës Maloku, është ndër filmat më të ri të kinematografisë botërore, i cili është ranguar në pozitat më të larta të klasifikimeve.

"Ky është një film shumë i njohur, i përmasave botërore. Është film aksion, aventurë dhe romancë. Filmi është i gjatë 1 orë e 45 minuta dhe shpresojmë që të kënaqim shikuesit tanë", ka theksuar ajo.

Drejtoresha Maloku po ashtu ka potencuar se në javët e ardhshme në kinemanë "Jusuf Gërvalla" të qytetit të Pejës do të shfaqen filma të të gjitha zhanreve.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›