E Shtunë, 31 Tetor 2026

FFK, shpresë Flamurtarit

Ndeshja e ndërprerë mes Trepçës e Flamurtarit është regjistruar me rezultat zyrtar, 0:3 për prishtinasit. Kuqezinjve u janë ngjallë shpresat për mbijetesë, pasi kanë marrë tre pikë në tavolinë. Xhiroja e fundit, e cila zhvillohet të dielën, do të përcaktojë se cili ekip do të largohet nga Superliga, Flamurtari, Ballkani apo Vëllaznimi. Nga Valon Konushevci valon.konushevci@gazetaexpress.com më 11 qershor 2011 në ora 12:30

Derisa gara për titull ka marrë fund, lufta për mbijetesë në Superligë vazhdon të mbetet e hapur mes Flamurtarit, Ballkanit e Vëllaznimit – një xhiro pa përfunduar sezoni.

Komisioni i Garave i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) të premten ia ka ringjallur shpresat Flamurtarit për mbijetesë, pasi ndeshjen e ndërprerë kundër Trepçës e ka regjistruar me rezultat zyrtar 0:3 në favor të tyre.

Ky takim ishte ndërprerë në minutën e 45-të, kur rezultati ishte 2:0 për mitrovicasit. Në fakt, takim kishte nisur edhe pse trupat e Policisë së Kosovës nuk ishin prezentë në stadium, pasi vendasit u kishin premtuar mysafirëve se policët do të vinin shumë shpejt.

Mirëpo, mosardhja e policëve edhe pas përfundimit të pjesës së parë i kishte detyruar prishtinasit ta lënë ndeshjen në gjysmë. Kështu drejtuesit e Flamurtarit më pas kishin bërë ankesë në FFK, duke i kërkuar tri pikë në tavolinë.

Kjo kërkesë e kuqezinjve u aprovua nga shtëpia e futbollit kosovar, duke i fajësuar gjelbërezinjtë si organizatorë të takimit, për mosprezencën e trupave të organeve të rendit.

“Bazuar në nenin 18 të propozicioneve të garave, klubi nikoqir ka qenë i obliguar që më së voni tri ditë para zhvillimit të ndeshjes ta lajmërojë Policinë e Kosovës për sigurimin e ndeshjes dhe se ekipi nikoqir ka qenë i obliguar të bëjë sigurimin e fushës gjatë tërë kohës së zhvillimit të ndeshjes. Prandaj, nikoqiri nuk ka përmbushur kushtet e parapara...”, thuhet në një komunikatë të FFK-së.

Në këtë mënyrë, vetëm pas xhiros së fundit të kampionatit do të mësohet emri i skuadrës tjetër, pas Ferizajt, që do të bie nga Superliga e po ashtu edhe emri i ekipit tjetër që do të luaj në balotazh.

Aktualisht Flamurtari është në pozitën e parafundit të renditjes me 36 pikë, dy më pak sesa Ballkani e Vëllaznimi, të cilët me nga 38 pikë radhiten në pozitat dhjetë e nëntë.

Në xhiron e fundit Flamurtari e pret Lirinë, sikurse Ballkani e Vëllaznimi që luajnë si vendas ndaj Trepçës, respektivisht KEK-ut.

Vëllaznimi është më favoriti për ta siguruar mbijetesën, derisa Flamurtari shpreson që ta mposhtë Lirinë dhe Ballkani të pësojë disfatë nga Trepça për ta kërkuar kështu mbijetesën në ndeshje të barazhit.

“Edhe pse i fituam këto tri pikë në tavolinë, gjasat për të shpëtuar i kemi shumë të vogla. 95 për qind do të biem, kurse 5 për qind do të shpëtojmë. Kjo pasi fati ynë është në duar të dikujt tjetër, pra në ndeshjen Ballkani – Trepça, sepse Vëllaznimi vështirë se do të gabojë”, tha për Express drejtori i përgjithshëm i Flamurtarit, Agim Hasani.

Mt: Trepça kërkon përsëritjen e ndeshjes

Në anën tjetër, drejtuesit e Trepçës janë zhgënjyer me vendimin e Komisionit të Garave të FFK-së, i cili ndeshjen ndaj Flamurtarit e regjistroi me rezultat zyrtar 0:3 për prishtinasit.

Mitrovicasit paralajmërojnë se do të bëjnë ankesë ndaj këtij vendimi. ‘Xehetarët’ pranojnë se kanë bërë lëshim në organizimin e atij takimi në cilësinë e nikoqirëve. Por, ata konsiderojnë se ndeshja është dashur të përsëritet e jo t’i jepen Flamurtarit tri pikë në tavolinë.

“U kemi pasur borxh policisë, sikurse klubet tjera që u kanë, andaj nuk kanë ardhur fare në atë ndeshje. Ne ishim duke fituar 2:0. Megjithatë, minimumi është dashur që ndeshja të përsëritet, qoftë edhe nga minuta e parë, e jo aty ku u ndërpre. Prandaj do të bëjmë ankesë dhe do të kërkojmë që ai takim të përsëritet”, u shpreh sekretari i Trepçës, Hajrullah Haxhiu.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›