E Shtunë, 31 Tetor 2026

FIA, MekLaren rrezikon përjashtimin nga edicioni

Momenti i vështirë te MekLareni vazhdon. Pas skualifikimit nga Çmimi i Madh i Australisë, për sjellje anti-sportive, FIA (Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit) ka vendosur të zhvillojë një mbledhje të jashtëzakonshme, për të përcaktuar të ardhmen e skuadrës anglo-gjermane në Botërorin 2009 të Formula 1. Në atë takim pritet të ndodhë gjithçka, pasi shkelja e nenit 151 parashikon përjashtimin nga kampionati. Drejtuesit e "shigjetave të argjendta" janë njoftuar të paraqiten (me detyrim) në Këshillin Botëror të FIA-s, më 29 prill në Paris. MekLareni duhet t‘u përgjigjet akuzave të ngritura (dhe që u konfirmuan falë regjistrimeve në radion e skuadrës) gjatë garës në Melburn, kur Luis Hemilton pas udhëzimeve nga bokset tentoi të thyente rregullat. Kampioni i botës në fuqi kërkoi falje publike, pasi kishte bërë deklarime të pavërteta në dy bisedat me komisarët e pistës. Ai u orientua të vepronte në këtë mënyrë nga ish-drejtori sportiv, Dejv Rajan, i cili nuk është më pjesë e skuadrës prej dy ditësh. Por, të gjitha këto veprime parashikohen në nenin 151 të Kodit Sportiv Ndërkombëtare, që deri më tani sollën skualifikimin e pilotit dhe MekLarenit nga gara e Australisë. Megjithatë, fletë-thirrja e FIA-s ndryshon skenarin dhe masat ndëshkimore që parashikohen për skuderinë e drejtuar nga Ron Denis e Martin Uajtmarsh fillojnë nga gjoba financiare deri te përjashtimi nga Botërori. Një tjetër goditje e rëndë për MekLaren, që dy vjet më parë, prej "Spy Story" u dënua me heqjen e të gjithave pikëve në klasifikimin për konstruktorë dhe me 50 milionë sterlina gjobë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›