E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbrëmje mes prostitutave, largohet Tomas Ujfalushi

Tomas Ujfalushi është larguar nga Kombëtarja. Vendimi i 31-vjeçarit, i cili luan tek Atletiko e Madridit, nuk ka ardhur për shkak të moshës, apo prej humbjes 2-1 në shtëpi me Sllovakinë, që ka kompromentuar shanset e Republikës Çeke për t‘u kualifikuar në Botërorin 2010. Në të vërtetë, rezultati në sfidën me "kushërinjtë" sllovakë ka pak lidhje, por jo për episodet në fushën e lojës. Gjithçka ka ndodhur në përfundim të ndeshjes, kur mbrojtësi, që mbante shiritin e kapitenit në përfaqësuese, aspak i zhgënjyer nga humbja, ka dalë për t‘u argëtuar. Tabloidët në Çeki e kanë fotografuar Ujfalushin në një restorant të Pragës, nën shoqërinë e disa vajzave, të cilat janë paraqitur si prostituta. "Nuk do të luaj më me ekipin Kombëtar për shkak të situatës aktuale në federatë dhe prej atyre që janë shkruar në media", deklaroi lojtari nëpërmjet një deklarate për shtyp, të cilën e shpërndau menaxheri i tij. Një vendim që "ka ardhur si rezultat i situatës që është krijuar në skuadër pas ndeshjeve të fundit eliminatore", shtoi Ujfalushi. Sipas të përditshmeve, ish-kapiteni nuk ishte i vetëm: së bashku me të ndodheshin edhe disa shokë të përfaqësueses, si sulmuesi i Gallatasarait, Milan Barosh, mesfushori i Uest Hemit, Radoslav Kovaç, Martin Fenin i Eintraht Frankfurtit, Marek Matejovski i Riding dhe Vaçlav Sverkos i Soshosë. Lamtumira e Ujfalushit u shoqërua nga ajo e trajnerit Petr Rada, i cili u shkarkua nga detyra pas humbjes që e uli Çekinë në vendin e katërt në grup, pas Irlandës së Veriut, Sllovakisë dhe Polonisë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›