E Shtunë, 31 Tetor 2026

FIFA: Shqipëria, surpriza e të mërkurës futbollistike

Shqipëria është surpriza e ditës e të mërkurës futbollistike ndërkombëtare. Në këtë përfundim kanë arritur specialistët e organizatë më të lartë të futbollit në botë, FIFA-s, të cilët, në faqen zyrtare në internet, kanë evidentuar të veçantat e impenjimeve të kombëtareve të të gjithë globit në ndeshjet e tyre përkatëse. Mes shumë eventeve të rëndësishme të të mërkurës së ngarkuar në ndeshje ndërkombëtare, Shqipëria është përzgjedhur nga nëpunësit e FIFA-s si "Rezultati i ditës". "Edhe pse nuk do të ishte aspak surprizë që Shqipëria të mund të merrte më të mirën në përballjen e saj me kombëtaren e Qipros, të pakët ishin ata njerëz që e kishin parashikuar, se kombëtarja ballkanase, e cila e ka shumë të vështirë të shënojë shumë gola, të arrinte atë fitore emfatike, një goleadë të vërtetë 6-1", shkruhej dje në faqen zyrtare të FIFA-s në internet, ku më pas vazhdonte: "Hera e fundit që shqiptarët kishin arritur një fitore me shumë gola, daton në vitin 2003, kur shënuan pesë gola në portën e Vietnamit dhe nuk pësuan asnjë". Me fitoren e të mërkurës në mbrëmje në takimin miqësor ndaj ishullorëve të Mesdheut, Kombëtarja jonë ka shënuar edhe një rekord të ri të saj për sa u përket fitoreve më të thella. Para kësaj ndeshjeje, rekordin e mbante pikërisht triumfi 5-0 ndaj Vietnamit më 12 shkurt të vitit 2003 në turneun miqësor të Norçias (Itali). Ndërkohë që një tjetër fitore e thellë e përfaqësues sonë në historinë e saj vjen nga një ndeshje e luajtur ndaj përfaqësueses së Turqisë më 21 janar 1998 në Gaziantep, ku kuqezinjtë kishim mundur të triumfonin me rezultatin 4-1. Shqipëria deri tani ka luajtur 69 miqësore dhe kjo e fundit e fituar 6-1 ndaj qipriotëve i ka dhënë një rekord edhe trajnerit kroat të kuqezinjve, Josip Kuzhe, i cili me një të rënë të lapsit ka lënë pas plot 17 trajnerë paraardhës të tij në drejtimin e kësaj kombëtareje. Fitoret më të thella i nisim nga Adem Karapici (2-1 kundër Bullgarisë), Myslim Alla (3-2 me Çekosllovakinë), Ludovik Jakova (2-1 me Bullgarinë), Loro Boriçi (3-0 me Algjerinë), Zyber Konçi (?), Shyqyri Rreli, Bejkush Birçe (1-0 me Greqinë), Neptun Bajko (3-0 me Moldavinë), Astrit Hafizi (4-1 me Turqinë), Medin Zhega (3-0 me Andorrën e Maltën), Xhuzepe Dosena (2-1 me Kosovën), Hans Peter Brigelin (5-0 me Vietnamin), Oto Bariçin (3-0 me Maltën e San Marinon), Ari Hanin (2-0 me Lihteshtejnin).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›