"Penalltitë për Skelën, duhet të gjejë skuadër"
Rezultati historik i së mërkurës, ku Shqipëria fitoi 6-1 përballë Qipros, duke praktikuar një futboll mjaft cilësor, është karakterizuar edhe nga një episod mjaft domethënës në fushën e lojës. E gjithë skuadra është vendosur përkrah kapitenit Ervin Skela, duke e lejuar që të ishte ai goleadori i mbrëmjes. Fantazisti vlonjat ishte njëri prej protagonistëve kryesorë në "Qemal Stafa", me dy gola të realizuar me 11-metërsh. Penalltitë janë fituar pas inkursioneve të rrezikshme të Hamdi Salihit në zonën qipriote, ndërsa lojtarët e tjerë e kanë mbështetur 32-vjeçarin që t‘i ekzekutonte. Kjo për faktin se një paraqitje e mirë në arenën ndërkombëtare do ta ndihmonte Skelën që të gjente një skuadër cilësore ku do të aktivizohet në sezonin e ri. Kapiteni i përfaqësueses kuqezi në mungesë të Altin Lalës, zhbllokoi rezultatin në minutën e 26-të, duke sigluar golin e avantazhit të përkohshëm 1-0 të Shqipërisë. Në çastet e fundit të pjesës së parë, vetëm 7 minuta pas barazimit të Qipros me Karalambidis, mesfushori realizoi me të njëjtën saktësi edhe penalltinë e dytë (nga tri të akorduara nga gjyqtari turk, Bylunt Yldirim). Por, ndryshe nga 11-metërshi i parë, ku nuk kishte asnjë "rival" për ekzekutimin nga pika e bardhë, në të 44-n kandidat ishte edhe Klodian Duro. Mesfushori elbasanas dëshironte me patjetër të shënonte kundër Kombëtares ishullore, pasi militon në elitën e futbollit qipriot me Apollon Limasol dhe kishte miqësi me shumë prej lojtarëve që luajtën në Tiranë. Pikërisht në momentin kur Duro kërkoi gjuajtjen e penalltisë, lojtarët kuqezinj i kanë thënë se kjo detyrë i takonte sërish Skelës. "Ishte e kuptueshme përse Klodi donte ta gjuante penalltinë e dytë dhe të shënonte në portën e Qipros. Megjithatë, disa prej lojtarëve që ishin mbledhur rreth zonës i thanë se këtë detyrë do ta merrte sërish përsipër Ervini, sepse ai ende nuk ka gjetur skuadër dhe golat me Kombëtaren do ta ndihmonin shumë në këtë pjesë të fundit të merkatos", bënë të ditur burime pranë ekipit kuqezi. "Duke e vlerësuar si më delikate situatën e Skelës, Duro nuk bëri rezistencë dhe kapiteni shënoi golin e avantazhit 2-1 dhe rrjetën e dytë personale".
Kjo tregon më së miri frymën që po përjetohet aktualisht në përfaqësuese, ku xhelozitë, mëritë apo egoizmi janë të panjohura. Trajneri Josip Kuzhe deklaroi vetëm pak orë përpara ndeshjes se "synimi kryesor ishte krijimi i një atmosfere të mirë brenda grupit". Një objektiv, i cili duket se është realizuar ku të gjithë bashkëjetojnë në harmoni. Skenat e mëparshme me lojtarët kuqezi që ziheshin përpara pikës së bardhë, ngrinin dorën për të fituar të drejtën e gjuajtjes, njësoj sikur përgjigjeshin në apel apo bënin gjeste nga stoli kur nuk u jepej e drejta të ekzekutonin penalltinë i përkasin të kaluarës. Në radhët e Shqipërisë, tashmë gjithçka zgjidhet brenda grupit, me mirëkuptimin e të gjithëve: vendime që janë në të mirë të skuadrës, e ndonjëherë edhe të individëve të veçantë. Skela është i domosdoshëm për Kombëtaren, për sfidat e fundit të këtij edicioni dhe për eliminatoret e Euro 2012. Këtë e kanë kuptuar lojtarët të parët…