Josip Kuzhe: U mahnita nga potenciali i lojtarëve
Fitorja tenistike e Shqipërisë përballë Qipros ka bërë bujë edhe në Kroaci. Mediat e këtij vendi kanë nxituar të kontaktojnë me trajnerin Josip Kuzhe, për ta pyetur rreth përshtypjeve që i la triumfi 6-1. Gazeta "Jutarnji List" shkruante: "Pas humbjes së pafat me Portugalinë, Kuzhe u dhuroi tifozëve shqiptarë një mbrëmje me futboll fantastik". Ndërsa tekniku 56-vjeçar, për të përditshmen deklaroi: "Kisha frikë nga Qipro, e cila ka një skuadër mjaft të fortë, por ishte një ndeshje fantastike. Shqipëria luajti futboll të klasit të lartë për 70 minuta. Jam shumë, shumë i lumtur". Kuzhe shtoi: "Në dy ndeshjet e fundit eliminatore (me Danimarkën dhe Suedinë) rezultatet nuk janë të rëndësishme, pasi po punojmë për të ardhmen. Por, u mahnita nga potenciali i lojtarëve të mi. Edhe trajneri i Qipros u shpreh i tronditur nga loja e jashtëzakonshme e Shqipërisë‘ dhe kjo na karikon për të ardhmen". Tashmë trajneri do të nisë një turne 1-javor në Gjermani, për t‘u takuar dhe vëzhguar lojtarët kuqezi, që militojnë në ligat e këtij vendi.