E Shtunë, 31 Tetor 2026

FIFA dënon "skandalozët", ikin Rozeti e Larrionda

JOHANESBURG-Roberto Rozeti dhe Horge Larrionda nuk do të arbitrojnë më në këtë Botëror, pas gafave të tyre në ndeshjet Argjentinë-Meksikë dhe Angli-Gjermani. Ata nuk janë pjesë e 19 gjyqtarëve që do të qëndrojnë në Afrikën e Jugut për 8 takimet e mbetura, ç'ka konfirmon gabimet e rënda të kryera në takimet e së dielës.
Treshja italiane e përbërë nga Rozeti, Kalkanjo dhe Airoldi u bënë protagonistë të një goli të parregullt të shënuar nga Karlos Tevez në takimin Argjentinë-Meksikë, i përfunduar 3-1. Sulmuesi argjentinas ishte të paktën 2 metra në pozicion jashtë loje, por anësori Airoldi e lejoi si gol të rregullt. Më pas, përsëritja tregoi gabimin e tij dhe Rozeti e pa nga monitorët e pranishëm në stadium, por në bazë të rregullores, përdorimi i teknologjisë është i ndaluar. Në këtë mënyrë, goli u konsiderua i rregullt, ç'ka u ka kushtuar italianëve përjashtimin nga ky Botëror. Pasi drejtoi finalen e Europianit 2008 dhe pasi Italia u eliminua, Rozeti shpresonte të gjykonte finalen e këtij viti, duke parë se mbetet një nga gjyqtarët më të mirë në qarkullim. Ndërkohë, ndryshe ka qenë diskutimi për Horge Larriondën, gafa e të cilit, bashkë me anësorin Mauricio Espinoza, ishte shumë herë më e rëndë.
Ata i mohuan një gol mëse të rregullt Anglisë në përballjen me Gjermaninë, duke nxjerrë jashtë skuadrën e Kapelos. Topi i goditur nga Lampard kaloi mbi gjysmë metri vijën e portës dhe vetëm gjyqtarët e ndeshjes nuk arritën ta shihnin. Edhe në këtë rast, arbitri kryesor u tradhtua nga anësori, i cili u bë fajtori kryesor për disfatën e Anglisë. Ndërkohë, për finalen e 11 korrikut, arbitri që mbetet në pole-position për ta drejtuar quhet Hauard Ueb. Anglezi drejtoi finalen e Champions League mes Interit e Bajernit, ndërsa ka treguar se për momentin mbetet absolutisht një nga më të mirët në botë, duke lejuar lojë dhe duke treguar korrektësi.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›