FIFA dhe UEFA në pritje të OKB-së për Kosovën

"Kristian Nushi konsiderohet si Devid Bekham i Kosovës: futbollisti 25-vjecar zotëron të njëjtën teknikë". Kështu shkruan gazeta austriake "Die Presse" në versionin e saj online, në lidhje me të ardhmen e tij në Kombëtaren kosovare. Por, Republika e Kosovës, shteti më i ri nuk mund të marrë pjesë ende në Kampionatin Botëror apo Europian. "Pa njohjen e bashkësisë ndërkombëtare nuk do të ketë një vend për të në FIFA apo UEFA", - shkruan gazeta.
NË PRITJE TË ZYRTAREVE
Mesfushori Kristian Nushi ka fituar në Zvicër fituar një Kupë në vitin 2004 në radhët e FC Wil. Nushi ka shkruar historinë me Kombëtaren e Kosovës. Ai është autori i golit të fitores 1-0 të Kosovës në miqësoren me Arabinë Saudite, takim i luajtur në vitin 2007. Kjo ishte edhe ndeshja e parë e një përfaqësueseje të një vendi ende të panjohur kundër një Kombëtarje që ka marrë pjesë edhe në finalet e Kampionati Botëror. Fitorja kundër Arabisë Saudite ishte dhe pika kulmore e historisë së ekipit kombëtar të Kosovës. Më përpara kishte pësuar dy humbje kundër Shqipërisë, një fitore kundër Turqisë B dhe një tjetër kundër Principatës së Monakos, ndaj së cilës arriti një fitore 7-1 në transfertë. Ndërsa të gjitha këto ndeshje kanë pasur sfond miqësor, Republika e Kosovës përgatitet të zhvillojë ndeshjet e para zyrtare.
FIFA NË PRITJE TË OKB-SË
Neni 10 i statutit të Federatës Ndërkombëtare të Futbollit, FIFA, thotë se vetëm një federatë e një shteti të pavarur dhe anëtar në Organizatën e Kombeve të Bashkura mund të bëhet anëtar i saj. Nëse Kosova nuk do të pranohet në OKB, atëherë nuk ka asnjë mundësi të bëhet pjesë e FIFA-s. Deri tani FIFA i ka hedhur poshtë të gjitha përpjekjet e Kosovës për anëtarësim.
JO "FAROE-RREGULL"
Kushtet janë gjithashtu të këqia për ekipin kombëtar kosovar. Ndërsa Rusia dhe Serbia është kundër, shtetit të ri i duhet shumë kohë të jetë anëtar i organizatave ndërkombëtare. Edhe një përjashtim unik nga rregullat e FIFA-s, sic u veprua edhe me pranimin e Ishujeve Faroe, do të ishte i pazakonshëm. "Për këtë, - shkruan DiePresse.com Kosova do të kishte nevojën për "Okay-in e serbëve, një skenar shumë i vështirë hë për hë.
UEFA MË E RREPTË SE FIFA
Kosova po njihet me shpejtësi nga një numër shtetesh, por në lidhje me futbollin shpresat e saj për të qenë pjesë e UEFA-s nuk ecin me këtë ritën. UEFA, Federata Europiane e Futbollit, bazohet në nenin 5 të statutit të saj, ku shprehet qartë se anëtare e saj mund të jetë një vend që njihet nga OKB-ja. Vetëm vende me anëtarësi të rregullt mund të ftohen nga UEFA në kompeticionet e organizuara prej saj, si Kampionati Europian, Liga e Kampioneve apo Kupa UEFA. Kështu, që FK Besa, skuadra e Kosovës duhet të presë ende. Ekipi ka dalë në tre vitet e fundit kampion i në kampionatin maksimal të ligës kosovare të futbollit. Deri tani vetëm Federata Europiane e Hendbollit dhe Federata Ndërmombëtare e Pingpongut e kanë pranuar Kosovën, edhe pse Beogradi ka protestuar.