FIFA do ta shqyrtojë rastin e Shaqirit me shokë

“Ne nuk kemi pasur deri më tash ndonjë rast të tillë. Përgjegjës për këtë çështje është Komisioni për statut. Për këtë do të merret Komisioni për statusin e lojtarëve. Por, parimisht një ndërrim i kombëtares është pak i besueshëm, pasi që sipas statutit, lojtarët kanë të drejtë të luajnë për një shtet të ri, vetëm nëse ata, pa fajin e tyre, e kanë humbur shtetësinë e parë. E kjo gjë nuk ka ndodhur në rastin tonë”, ka thënë drejtori për komunikim i FIFA-s, Walter De Gregorio.
Shumëçka do të qartësohet pas 27-28 shtatorit, kur Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s pritet të vendosë për përfaqësuesen e Kosovës, nëse do t’i lejohet asaj që më në fund të zhvillojë ndeshjet miqësore. Një gjë është e qartë: kampanja e kualifikimeve për Botërorin 2014 nuk është në rrezik për zviceranët, të cilët mund të llogarisin në Shaqirin me shokë. Por, pjesëmarrja e Kosovës në kualifikimet për Evropianin 2016 mund t’i shohë Shaqirin, Xhakën, Behramin etj, në fanellën e përfaqësueses kosovare.
Federata e Zvicrës: Ata duan të vazhdojnë me ne
Federata e Futbollit e Zvicrës ndihet paksa e relaksuar, përkundër faktit se rrezikon t’i humbasë lojtarët e rëndësishëm. “Behrami, Xhaka e Shaqiri, në intervistat e tyre kanë dhënë shenja se dëshirojnë të vazhdojnë të luajnë me Zvicrën. Ata kanë përfituar deri tash nga Zvicra, kështu që duhet të japin diçka në këmbim”, ka thënë Marco von Ah, zëdhënës i kësaj federate.